Teksa pritet që të martën Këshilli Bashkiak i Tiranës të vendosë për shkarkimin ose jo të Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut, pas arrestimit të tij, ka ardhur një reagim i fortë nga opozita.
Nënkryetari i Këshillit, Dorian Teliti, thekson se Veliaj duhet të ketë të drejtën të jetë i pranishëm në sallë për t’u dëgjuar, duke shtuar se opozita nuk ka asnjë frikë nga fjala e tij.
Përkundrazi, kërkon që ai të dalë ballë për ballë dhe të përgjigjet për akuzat mbi abuzimet dhe dëmët që, sipas saj, i janë shkaktuar Tiranës gjatë dekadës së fundit.
“Të martën është dita kur Veliaj pritet të shkarkohet nga detyra nga Këshilli Bashkiak. Ama para shkarkimit, ai ka të drejtën të dëgjohet aty në sallë përpara të zgjedhurve vendorë të Kryeqytetit.
Opozita jo vetëm që nuk trembet nga ajo fjalë, por kërkon / insiston që Veliaj të jetë aty, ballë për ballë, për t’i thënë atij dhe treguar qytetarëve disa të vërteta mbi korrupsionin dhe dëmet që ai i ka shkaktuar Tiranës në 10 vitet e fundit.
Pyetja që sot bën Tirana – dhe gjithë Shqipëria – është e thjeshtë: A do e lejojë qeveria Veliajn të dalë nga burgu për të folur, apo do ta mbajnë mbyllur nga frika se mos i del boja edhe atyre bashkë me të?
Sepse kur ke ndërtuar një regjim mbi propagandë dhe teatër, një fjalë e vetme jashtë skenarit prish gjithë shfaqjen.
Për shkarkimin e Veliaj duhej leja e qeverisë… po për fjalën e Veliaj, a do jepet ndonjë leje?
E marta po vjen…”