Për herë të parë, veshjet tradicionale shqiptare u bënë pjesë e parakalimit zyrtar të Oktoberfest në Mynih, një prej festivaleve më të mëdha dhe të njohura të birrës në botë.
Ky moment historik u përshëndet edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili shpërndau një video në rrjetet sociale, duke vënë theksin te prezantimi dinjitoz i kulturës shqiptare në një skenë ndërkombëtare.
“Parakalimi i veshjeve tona tradicionale, për herë të parë në Oktoberfest, njëra nga festat më popullore në botë, ku Xhubleta shqiptare shkëlqeu me format e saj unikale”, shkroi Rama.
Pjesëmarrja u organizua nga përfaqësues të komunitetit shqiptar në Gjermani, të cilët sollën me krenari simbolet dhe kostumet karakteristike, duke përfshirë edhe xhubletën, një trashëgimi kulturore e lashtë e mbrojtur nga UNESCO.