Një 28-vjeçar nga Tirana, i cili vetëm një vit më parë kishte lënë qelinë pas dënimit për përndjekjen e këngëtares Rozana Radi, është arrestuar përsëri. Këtë herë, në qendër të akuzave është përndjekja ndaj një juristeje të burgut 313 në kryeqytet.
Sipas dosjes gjyqësore, ngjarja ka nisur verën e vitit 2024, kur juristja ka kallëzuar në prokurori se merrte mesazhe të vazhdueshme kërcënuese në Instagram nga adresa të rreme. Mesazhet shoqëroheshin me emoji thika e bomba, duke krijuar bindjen se dërguesi kërkonte jo vetëm ta shqetësonte, por edhe t’i rrezikonte jetën.
Përpjekjet e saj për të bllokuar profilin rezultuan të pafrytshme, pasi menjëherë krijoheshin llogari të reja që vijonin komunikimin.
Në qershor 2025, juristja dyshoi se pas këtyre profileve fshihej pikërisht 28-vjeçari Egzon T. Dyshimet u përforcuan kur në një prej komunikimeve, ajo mori si përgjigje një foto të fletës së lirimit të tij nga burgu, të datës 19 qershor 2024.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, i riu ka mohuar akuzat. Ai ka pretenduar se nuk e njihte juristen, nuk kishte telefon dhe se mesazhet nuk ishin dërguar prej tij. Megjithatë, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për 28-vjeçarin.
Sipas kallëzueses, përndjekja i ka shkaktuar një gjendje të vazhdueshme ankthi dhe frike për sigurinë e saj dhe të familjarëve. Çështja është ende në proces gjyqësor, ndërsa 28-vjeçari përballet sërish me burgun vetëm pak muaj pas lirimit të mëparshëm./ Insajder