Super tufani Ragasa pritet që të godasë Filipinet dhe si pasojë autoritetet kanë nisur evakuimet masive. Gjithashtu paralajmërojnë për përmbytje dhe rrëshqitje dheu.
Super tufani Ragasa, me erëra deri në 230 km/h, pritet të godasë ishujt veriorë të hënën, përpara se të drejtohet në perëndim drejt Kinës jugore. Sipas byrosë së motit në Filipine, ai paraqet një “rrezik të lartë stuhish kërcënuese për jetën”, me dallgë që mund të tejkalojnë 3 metra.
Ndërkohë shkollat dhe institucionet shtetërore janë mbyllur në disa zona dhe pritet që stuhia të jetë aktive deri të mërkurën.
Agjencia meteorologjike e Kinës ka paralajmëruar se ai mund të prekë disa herë provincën Guangdong. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të grumbullojnë furnizime dhe të përforcojnë banesat.