Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se pas kontrolleve të vazhdueshme, është konfirmuar prania e sëmundjes PPR (Murtaja e Ruminantëve të Vegjël) në fshatin Landovicë të Komunës së Prizrenit.
Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar një rast me PPR në një fermë me dele në këtë fshat dhe njofton se nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve. Gjithashtu nuk transmetohet tek njeriu.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje fermerëve që të kenë kujdes të vazhdueshëm.
“Për fermerët: Respektoni masat dhe udhëzimet e inspektorëve dhe veterinerëve zyrtarë. Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre.Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të parandalojmë përhapjen e kësaj sëmundjeje dhe të mbrojmë blegtorinë tonë”, thuhet në njoftim.