-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Plani Trump për Lindjen e Mesme, sfida dhe shpresa për paqe të brishtë

Kryesoret

Një rrugë drejt paqes e mbushur me pengesa në dukje të pakapërcyeshme. Një urë drejt zgjidhjes me dy shtete që rrezikon të shembet para se të vendoset guri i parë. Lëvizja e parë e një loje shahu me rezultat të paparashikueshëm. Janë disa nga përkufizimet që komentatorë, analistë të çështjeve ndërkombëtare dhe media i japin planit të paqes me 20 pika të paraqitur nga Trump në Shtëpinë e Bardhë. Një hartë që, në rastin më të mirë, mund të sjellë paqe jo vetëm në konfliktin izraelito-palestinez, por edhe një Lindje të Mesme të re. Por që ka edhe potencialin të varrosë shpresat për atë shtet palestinez sapo të njohur nga një duzinë vendesh perëndimore. “Për një shtet palestinez nuk bëhet fjalë”, ka përsëritur menjëherë kryeministri izraelit Netanyahu. E megjithatë, ai është një nga objektivat e përcaktuara nga plani (në pikën e 19-të). Ja gjithçka që mund të shkojë keq, ose që duhet të ndodhë që projekti të realizohet.

Tre hapa përpara

Trump gjithsesi ka arritur ta çojë përpara negociatën me tre hapa: Izraeli (ose më saktë, lideri i tij) e ka pranuar planin; të gjitha vendet arabe dhe islame (përfshirë Pakistanin, i vetmi shtet mysliman me armë bërthamore, dhe Indonezinë, kombin mysliman më të populluar në botë) e kanë miratuar; dhe presioni për një spastrim etnik gjigant të palestinezëve të Gazës, transferimin e tyre masiv jashtë Rripit, është zhdukur të paktën formalisht, ndërsa deri para disa muajsh ky ishte projekti i shpallur nga Trump për të ashtuquajturën “Riviera e Gazës”.

Çfarë do të thotë Hamasi?

Pengesa e parë është reagimi i Hamasit: a do të pranojë një plan që parashikon dorëzimin e plotë të tij, çarmatimin dhe asnjë rol të ardhshëm? Ka gjasa që ndërmjetësit arabë, në radhë të parë Egjipti dhe Katari, do të bëjnë gjithçka për të bindur lëvizjen fondamentaliste të miratojë nismën amerikane. Por nuk është e thënë që të gjithë do të pajtohen. Dhe në Gaza nuk është vetëm Hamasi: ekzistojnë edhe Xhihadi Islamik dhe milici të tjera apo grupe terroriste. Pika e 17-të e planit parashikon transferimin nga forcat izraelite tek një trup i ri policie palestineze të zonave të Gazës “të çliruara nga terrorizmi” në rastin që Hamasi ose të tjerë nuk do ta respektonin marrëveshjen. Por është e sigurt që nëse lufta vazhdon në një pjesë të Rripit, do të jetë më e vështirë të ecet përpara me pajtimin në pjesët e tjera.

Çfarë do të bëjë qeveria izraelite?

Sonte Netanyahu nis ta paraqesë planin në qeverinë e tij. Për dy partitë e ekstremit të djathtë që i garantojnë shumicën në Parlament, disa aspekte të programit janë të papranueshme. Kryeministri do të arrijë t’i bindë ata që ta mbështesin deri në zgjedhje? Apo do t’i zëvendësojë me një numër partish të qendrës që tashmë i kanë ofruar mbështetjen e tyre? Në çdo rast, zgjedhjet po afrojnë: të parashikuara për tetorin 2026, mund të paraprihen për shkurt ose mars; Netanyahu është rritur në sondazhe, nuk përjashtohet që të dalë nga kutitë si përcaktues ose të kandidojë për presidencën e Izraelit, pasi të ketë marrë një falje gjyqësore nga Herzog, presidenti në largim, në procesin për korrupsion që e ka ndjekur prej vitesh.

Lirimi i pengjeve

Një tjetër e panjohur është çfarë do të ndodhë nëse, brenda 72 orëve të para nga zbatimi i planit, do të lirohen të gjithë pengjet izraelitë. Që nga ai moment, teorikisht, Izraeli mund të rifillojë luftën pa asnjë kufizim dhe mbi Netanyahu nuk do të rëndonte më opinioni publik i brendshëm që prej dy vitesh e vendos si përparësi të parë kthimin në shtëpi të qytetarëve të vet. Pas lirimit të shumicës së pengjeve, në marsin e kaluar, armëpushimi u prish, nuk nisi faza e dytë e marrëveshjeve atëherë të arritura dhe konflikti rifilloi. A do të ndodhë sërish?

Autoriteti Kombëtar Palestinez

Autoriteti Palestinez, e kryesuar nga 88-vjeçari Abu Mazen, organizmi që nga marrëveshjet e paqes të vitit 1993 administron 20 për qind të Bregut Perëndimor (dhe që administroi Gazën deri në 2006, kur u dëbua prej Hamasit pas tërheqjes së njëanshme izraelite nga Rripi), nuk do të ketë menjëherë asnjë rol në “Bordin e Paqes” që do të qeverisë dhe rindërtojë Gazën në një fazë të gjatë tranzicioni. Megjithatë, AP nuk e ka hedhur poshtë planin. Në Bord, të drejtuar nga vetë Trump, do të bëjnë pjesë gjithsesi personalitete palestineze (mbetet të shihet cilat). Dhe do të jetë një “polici” palestineze, e trajnuar nga Egjipti dhe Jordania, që do të mbajë sigurinë në Rrip. Për më tepër, ja faktori kyç: pika e parafundit e planit pohon se, sapo të nisë rindërtimi i Gazës dhe të reformohet AP, “mund të ketë më në fund kushtet për një rrugëtim të besueshëm drejt vetëvendosjes dhe një shteti palestinez, të cilin ne (domethënë Trump dhe partnerët e tjerë të nismës) e njohim si aspiratë legjitime të popullit palestinez”. Është e njëjta formulë e planit për paqe mes Izraelit dhe Arabisë Saudite të negociuar nga Joe Biden, para se sulmi i Hamasit i 7 tetorit 2023 të ndalte gjithçka (sepse Hamasi nuk donte marrëveshje mes Izraelit dhe AP). Në thelb, për momentin plani i lejon Netanyahut ta shtyjë në afat të gjatë çdo hipotezë për shtet palestinez, por u jep palestinezëve mundësinë të shpresojnë se një ditë do ta kenë. Kështu funksionon diplomacia.

Roli i Blair

Prania e ish-kryeministrit laburist britanik duket se është bërë enkas për të irrituar arabët. Në sytë e Lindjes së Mesme, por edhe të Europës, përfshirë Britaninë e Madhe, Blair është lideri luftënxitës i pushtimit të Irakut, të miratuar nga Londra për të shkatërruar armë jo-konvencionale që realisht Bagdadi nuk i kishte. Blair është gjithashtu i papëlqyer nga palestinezët, sepse gjatë tetë viteve që ka qenë negociatori i Kuartetit (SHBA, BE, Rusi, OKB) për Lindjen e Mesme, pas dorëheqjes si kryeministër, dukej se simpatizonte më shumë me Izraelin. Megjithatë, ai njeh në mënyrë të përsosur problemet dhe liderët e rajonit, ka marrëdhënie të shkëlqyera me sauditët (të cilët, në perspektivën e një paqeje me Izraelin, do të zgjeronin Marrëveshjet e Abrahamit të ndërmjetësuara nga Trump në mandatin e tij të parë mes shtetit hebre dhe katër vendeve arabe dhe do të kishin një rol vendimtar në rindërtimin e Gazës) dhe ka qenë arkitekti i paqes në një tjetër konflikt në dukje të pazgjidhshëm, atë mes katolikëve separatistë dhe protestantëve unionistë në Irlandën e Veriut. Reputacioni i tij është një pengesë për planin e Trump. Përvoja e tij mund ta ndihmojë.

Përparësia

Pavarësisht pengesave të shumta, nëse një plan edhe i cunguar mund të ndalojë luftën dhe të shpëtojë dy milionë palestinezë nga uria, ai do të ishte sidoqoftë i mirëpritur: jeta ka përparësi mbi gjithçka./ La Repubblica

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit