Biznesmeni italian, Eduardo Sarchi që humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Salari të Tepelenës, u qëllua nga një distancë rreth 120 metra, nga vrasësi Kamber Sulçe, tashmë i shpallur në kërkim nga policia.
TV Klan publikoi dosjen hetimore të ngjarjes së rëndë, me 44-vjeçarin italian që mbeti viktimë si pasojë e një konflikti të nisur prej djalit të ortakut të tij dhe autorit për dritat e gjata të makinës. Në deklarimet e tij, i riu Gazmend Braçi thotë se pas zënkës me vrasësin, automjeti që kishin iu fik në rrugë, pasi nuk kishte karburant, çka detyroi atë të kërkonte ndihmën e të atit.
Ky i fundit shkoi menjëherë për t’i ardhur për ndihmë së bashku me biznesmenin italian, me dy makina të ndryshme. Pikërisht në këtë moment nisi dhe terrori për ta, siç e shpjegon dhe i riu.
“Autori qëlloi në distancë, pikërisht në vendin ku na kishte lënë makina që kishim dalë për gjah. Nga aty ai dilte nga automjeti i tij, tip Ford ngjyrë e bardhë, na shante dhe qëllonte në ajër në intervale të ndryshme. Kjo situatë ka zgjatur për disa minuta.
Kur nisi të qëllojë në drejtimin tonë, ne u shpërndamë, ndërsa Eduardo shkoi tek makina e babit që të mbyllte derën, që mos ta shihte autori. Fillimisht mbylli derën e shoferit, e më pas kaloi të mbyllë derën e pasagjerit, pikërisht aty është goditur nga vrasësi. Ne u shtrimë barkas dhe qëndruam ashtu sa erdhi policia“, u shpreh G.Braçi.
Personi që shoqëronte të riun Braçi i tha oficerëve të policisë se sulmi i Kamber Sulçes, ndonëse me intervale të ndryshme kohore, ka zgjatur për mbi 20 minuta.
Ishin pikërisht këto deklarime, si dhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, që ndihmuan hetuesit në identifikimin e autorit, 48-vjeçar. Sulçe tashmë është në arrati, teksa dyshimet janë që ai të jetë ndihmuar nga persona të tjerë pas braktisjes së mjetit të përdorur në krim mes fshatrave Nivicë dhe Bolenë të Vlorës.








