Në një kohë kur informacioni shpesh vjen i fragmentuar, i paqartë dhe i pasaktë, mësuese pranë Shkollës së Bashkuar Sheqeras, Korçë, Parashqevi Dhimoshi ka zgjedhur të ecë në një rrugë tjetër: ajo ka guxuar të shkruajë një libër që mbledh brenda vetes hijeshinë e antikitetit dhe përjetësinë e ndjenjës njerëzore më të thellë, dashurisë.
“ANTIKITETI – Të dashurosh mes tragjedish” është më shumë se një përmbledhje e thjeshtë tekstesh klasike – është një udhëtim emocional dhe intelektual, ku letërsia antike greko-romake ndriçon pasazhe të ndjeshme të shpirtit njerëzor, nëpërmjet miteve, poezive dhe tragjedive.
Një nga vargjet më të bukura të Safos, “Goja, syri dhe veshi (të folurit, të parit, të dëgjuarit), duke mosfunksionuar lindin ‘të ndjerin’ e dashurisë”, shërben si udhërrëfyes i këtij libri, një reflektim mbi mënyrën se si dashuria na mbetet e vetmja ndjesi e paprekshme, e pashpjegueshme, por gjithnjë e pranishme.
Në këtë botim përfshihen: Trashëgimia antike greke-romake; Epokat historiko-letrare të letërsisë antike; Mitet: Orfeu dhe Euridika; Lirika: Pasion dashurie – Safo; Poema epike: Iliada – Homeri; Tragjedia: Prometeu – Eskili, Medea – Euripidi; Bibliografi e zgjedhur.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë vepër është bashkëpunimi mes mësueses dhe nxënëses së saj, një lidhje që lind nga pasioni për artin dhe dijen. Libri është ilustruar me skica të realizuara me dorë nga Aleksandra Biba, nxënëse e talentuar, e cila përmes ngjyrave bardhezi dhe të kuqes, simbol i dashurisë krijon një urë mes fjalës së shkruar dhe imagjinatës vizuale.
Libri “ANTIKITETI – Të dashurosh mes tragjedish” është i orientuar kryesisht për të rinjtë e gjimnazit, por njëkohësisht i vlefshëm për çdo lexues që dëshiron të mësojë apo të rikthehet te pasuria kulturore dhe letrare e periudhës antike. Përmes gjuhës së qartë dhe ilustrimeve të realizuara me dorë, libri e bën më të lehtë dhe më tërheqës kuptimin e figurave mitologjike, simboleve dhe veprave klasike, duke i sjellë ato më afër lexuesit modern, pa humbur thellësinë e përmbajtjes.