Adrian Bajrami ka marrë vendimin për të përfaqësuar Zvicrën, duke i dhënë fund aventurës me kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi 22-vjeçar është përfshirë në listën e trajnerit Murat Yakin për dy ndeshjet kualifikuese të muajit tetor drejt Botërorit 2026.
Në një prononcim për median zvicerane “Blick”, Bajrami shprehu emocionin e thirrjes dhe tha se mezi pret të bashkohet me ekipin. Ai vlerësoi figurën e kapitenit Granit Xhaka dhe theksoi lidhjen e tij me Zvicrën:
“Kam lindur dhe jam rritur këtu. Që kur fillova të luaja për FC Luzern, e kuptova sa rehat ndihem. Nuk do t’i mohoj rrënjët e mia shqiptare – jam krenar për to – por Zvicra është shtëpia ime.”
Bajrami më parë ishte pjesë e Zvicrës U18, ndërsa gjatë kohës te Benfica zgjodhi të luante për Shqipërinë. Me vendimin e fundit, ai zyrtarizon kthimin përfundimtar te kombëtarja zvicerane.








