Kryeministri Edi Rama ka rikthyer këtë të diel podcastin e tij “Flasim” me një episod të parë ku ftuar speciale ishte Ogerta Manastirliu, kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës.
Në një bisedë të hapur dhe reflektuese, Manastirliu ndau kujtime nga fëmijëria dhe familja e saj, që sipas saj kanë formësuar karakterin dhe angazhimin e saj publik.
E rritur në Tiranë në një familje të thjeshtë, me nënë valltare në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe babë ushtarak, Manastirliu përshkroi atmosferën e ngrohtë dhe harmoninë familjare që e ka shoqëruar që në vegjëli.
Ajo kujtoi me emocion periudhën e kaluar në korridoret e TKOB-it, ku kishte kontakt të drejtpërdrejtë me artistët, balerinët dhe vokalistët, përvoja që i dha një ndjeshmëri të veçantë dhe përkushtim.
“Në familjen tonë ka mbizotëruar harmonia, një familje e madhe që më mësoi të dua njerëzit dhe të marrësh dashuri. Në fëmijërinë time shumë kohë e kam kaluar në korridoret e TKOB-it, ku artistët punonin shumë për performancat e tyre. Unë mes valleve dhe operës zgjidhja gjithmonë operën, duke u frymëzuar nga modeli im Suzana Kurti. Mami më thoshte se në art duhet të përpiqesh fort. Më pëlqenin shumë kostumet tradicionale që shikoja aty,” tha Manastirliu.