Shtatë veprimtari, shumë njerëz, destinacione kulturore, strehëza shpirtërore dhe dhjetra gatime të mrekullueshme nga duart e amvisave arumune të Fierit, Korçës dhe Elbasanit- kështu mund të përmblidhet në pak fjalë projekti që u zhvillua në këtë fillim vjeshte.
Fondacioni “H.M” me seli në Tiranë organizoi më 13 dhe 14 shtator, 20 -21 shtator dhe 27-28 shtator 2025 përkatësisht në Fier, Korçë, Elbasan veprimtari dyditore kushtuar promovimit të kulinarisë arumune. Këto veprimtari u përmbyllën më 3 tetor me tryezën informuese realizuar me përfaqësues të pakicave kombëtare në Komitetin për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Kulinaria arumune bazohet në përbërës të thjeshtë, por cilësorë: mishi i qingjit i rritur në kushtet e shtëpisë, djathrat dhe brumërat e përgatitura sipas recetave të vjetra. Veprimtaritë dyditore kushtuar promovimit të trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare në Shqipëri u realizuan mbështetur nga Komiteti për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë në kuadër të Thirrjes së Dytë për vitin 2025 me moton “Diversiteti na bashkon: Ruajmë traditat dhe zakonet, ndërtojmë të ardhmen”.
Ky cikël demonstrues nisi në qytetin e Fierit më 13 dhe 14 shtator 2025 në mjediset e Kompleksit “APOLLON”. Në përurimin e projektit që realizohet nga Fondacioni “H.Martineau” morën pjesë anëtare të këtij komuniteti në qytetin e Fierit, dashamirës dhe qytetarë të interesuar për vlerat e pakicave.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte z. Margit Jica, Anëtar i Pakicës Kombëtare Arumune në Komitetin për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Në këtë veprimtari një vend të veçantë zuri edhe artizanati arumun. Në një nga këndet e ekspozitës demonstruese ishin vendosur edhe objekte të rëndësishme artizanale që dëshmonin pasurinë kulturore të kësaj pakice dhe ndërthurjen mes artit të kulinarisë dhe atij artizanal.
“Jemi të ndërgjegjshëm që ky ekspozim gatimesh nuk ka të bëjë thjesht me promovimin e kulinarisë arumune, por edhe me përgjegjësinë për t´i njohur, ruajtur dhe përcjellë ato më tej. Për këtë po punojmë ngushtë me komunitetin arumun vendas, me artizane dhe amvisa për të ngritur një ofertë promovuese të kulinarisë arumune sa më të plotë, të qëndrueshme dhe të lidhur me vlerat tona”, shprehet znj. Entela Binjaku koordinatorja e projektit.
Veprimtaria vijoi edhe ditën e dielë me 14 shtator ku vizitorë dhe qytetarë kuriozë ju afruan tryezave për t´u njohur me kulinarinë arumune që bazohet kryesisht në përbërës të thjeshtë, por cilësorë: djathi, gjalpi, bulmeti, mishi i qengjit i rritur në kushtet e shtëpisë dhe brumërat të përgatitura sipas recetave të trashëguara në breza. Veprimtaria e dytë u mbajt në mjediset e Kishës së “Shën Sotirit” në Korçë më 20-21 shtator 2025.
Lidhur me përzgjedhjen e Korçes si një ndër tri qytetet ku u mbajt veprimtaria Koordinatorja e projektit znj. Entela Binjaku u shpreh: “Për vijimin e projektit kete qytet dhe në Kishën e Shën Sotirit u mbështetëm në disa arsye:
Së pari, ky është institucion i rëndësishëm i kultit dhe i besimit për arumunët që ndodhet edhe në një rajon ndërkufitar ku janë të pranishëm edhe shumica e grupeve të pakicave kombëtare të njohura në Shqipëri me Ligjin Nr. 96/2017 “PËR MBROJTJEN E PAKICAVE KOMBËTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”: pakica arumune, bullgare, greke, maqedonase, rome dhe egjiptiane.
Së dyti, realiteti i pakicave sipas Ligjit për Mbrojtjen e tyre është një ndër kushtet kryesore që duhet të respektojë Shqipëria në rrugën drejt integrimit evropian dhe ky arumunët në Korçë janë një komunitet i rëndësishëm.
Së treti, Korça si qytet i kulturës ka dëshmuar dhe dëshmon se mësimi i traditave të pakicave është vlerë e bashkëjetesës multikulturore që shoqëria në përgjithësi e të rinjtë në veçanti kanë nevojë ta mësojnë, ruajnë dhe ta çojnë më tej.
Së fundmi, nëpërmjet kulinarisë amvisat arumune të Korçës shprehin jo vetëm traditat dhe vlerat e pakicës së tyre kombëtare, por ndihmojnë mbarë shoqërinë që nëpërmjet gatimit të njohë dhe të lidhë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte z. Margit Jica, Anëtar i Pakicës Kombëtare Arumune në Komitetin për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Në ditën e dytë të veprimtarisë që përkonte edhe me të dielën pas liturgjisë, amvisat arumune ndanë me të pranishmit gatimet e duarve të tyre, servirjen dhe shijet e pakrahasueshme. Veprimtaria e së dielës së 21 shtatorit afroi vizitorë dhe besimtarë kuriozë ju afruan tryezave për t´u njohur me kulinarinë arumune që bazohej kryesisht në përbërës të brumrave të përgatitura sipas recetave të trashëguara në breza, pa lënë mënjanë edhe shpjegimet e tyre.
Projekti vijoi me veprimtaritë promovuese të trashëgimisë kulturore të pakicës kombëtare arumune ne Elbasan më 27 dhe 28 shtator 2025. “Ekspozita e shijes” u mbajt më 27 dhe 28 shtator 2025 përkatësisht në mjediset e bar “Meduzës” dhe më 28 shtator 2025 në Famullinë Ortodokse “Shën Nikolla” prej orës 11.00. E diela në Famullinë Ortodokse “Shën Nikolla” solli në vëmendje mjeshtërinë e gatimit të zonjave arumune të Elbasanit. Këtë ditë e gëzoi me praninë e Tij Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit Hirësi Andoni qe i hapi dyert kësaj veprimtarie.
Të pranishmit patën mundësinë të shijonin gatimet e përgatitura nga duart e amvisave, gatimet karakteristike të identitetit arumun të këtij qarku dhe recetat që ruajnë kulturën dhe historinë lokale. Veprimtaria shërbeu si një urë lidhëse midis trashëgimisë dhe identitetit shpirtëror, duke afruar vendas, vizitorë dhe besimtarë. Për të përmbyllur projektin Fondacioni HM zhvilloi tryezën informuese rreth më 3 tetor 20225, ora 11.00 në sallën e Konferencave të Hotelit “OPERA”.
Të pranishmit në tryezë ishin përfaqësues të pakicave të ndryshme pjesë e Komitetit të Pakicave Kombëtare: boshnjake, greke, malazeze, egjiptiane si dhe punonjës të këtij institucioni që ndanë me të pranishmit edhe përkatësinë e tyre etnike.
E ftuar në këtë tryezë ishte znj. Lefteri Gjoshe, autore e librave kushtuar gatimit, njohëse e kulinarisë arumune dhe fituese e edicionit II të programit televiziv “Gjyshet milionere” transmetuar nga RTSH. Me pjesëmarrjen e amvisave lokale dhe mbështetjen e KPK-se këto veprimtari u kthyen në një nderim për bukurinë e rrënjëve arumune dhe shijen që e kaluara vijon të mbahet e gjallë nga duart e amvisave.