Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari u shpreh se kontributi i gjyqtarit Astrit Kalaja është i çmuar dhe do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e ligjit.
“Lamtumirë njeriut të ligjit, shërbëtorit të drejtësisë e profesionistit të spikatur, Astrit Kalaja. Kontributi i tij i çmuar do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e ligjit dhe në shtetin e së drejtës. Ngushëllime për familjen, kolegët, trupën gjyqësore dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan Astritin. Prehu në paqe mik i dashur!”, shprehet ministri Lamallari.
Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja është një kambanë alarmi për të forcuar sigurinë e punonjësve të drejtësisë dhe për të reflektuar si shoqëri mbi rreziqet që përballin përfaqësuesit e ligjit.
“Është një akt barbar që na ka lënë pa fjalë. Astritin e kam pasur mik të vjetër dhe kemi punuar bashkë në Shkodër – ishte një gjyqtar me integritet dhe një familjar i përkushtuar. Le të jetë kjo ditë një kujtesë se ata që shërbejnë për drejtësi, shpesh paguajnë çmim të lartë për misionin e tyre,” tha Manja.