Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit për Turizmin, Kulturën dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka zhvilluar takime me qytetarë dhe biznese në Sarandë për të dëgjuar shqetësimet mbi sezonin turistik.
Sipas Zhupës, viti 2025 ka qenë më i dobët se viti i kaluar, duke vijuar një tendencë rënëse që po bëhet shqetësuese. “Profili i turistëve ka ndryshuar ndjeshëm – shumë vizitorë me buxhet të ulët, që nuk kanë sjellë ndikim real në ekonominë lokale”, u shpreh ajo.
Bizneset ankohen për mungesë infrastrukture, mungesë parkimesh, probleme me ujin e pijshëm dhe keqmenaxhim të mbetjeve, duke theksuar se këto faktorë po ndikojnë negativisht në përvojën e turistëve dhe po i largojnë ata.
Zhupa bëri thirrje për një model të ri zhvillimi turistik, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, që fokusohet te turizmi me vlerë të shtuar dhe përmirësimi i kushteve për banorët e zonës.