Një punonjës i Policisë Bashkiake të Tiranës dhe një qytetar janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pas hetimeve për një rast korrupsioni të lidhur me një ndërtim pa leje.
Sipas SPAK, punonjësi Besmir Cani dyshohet se ka marrë 2.4 milionë lekë nga qytetari Ahmet Mashollari, me qëllim që të mos marrë masa ligjore ndaj ndërtimit të paligjshëm të këtij të fundit.
Të dy janë marrë të pandehur dhe do të gjykohen nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Cani akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa Mashollari për korrupsion aktiv, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.
SPAK thotë se provat janë të mjaftueshme për ta çuar çështjen në gjykim, ndërsa pritet vendimi i GJKKO për vijimin e procesit.









