Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Presidenti rus Vladimir Putin “e urren”, duke shtuar se kjo ndjenjë është e ndërsjellë.
Komentet ai i bëri pas takimit me Presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten.
“Putini më urren,” tha Zelensky përpara gazetarëve në Uashington. I pyetur nëse edhe ai e urren udhëheqësin rus, Zelensky u përgjigj: “Do të ishte e çuditshme të mendoja ndryshe për dikë që përpiqet të na vrasë të gjithëve. Kam të njëjtin qëndrim ndaj këtij njeriu.”
Gjatë konferencës për shtyp, presidenti ukrainas shprehu mbështetje për propozimin e Donald Trump për një armëpushim të menjëhershëm përgjatë vijës aktuale të frontit. Ai, megjithatë, refuzoi të komentojë nëse SHBA-të do të furnizojnë Kievin me raketa me rreze të gjatë veprimi Tomahawk, duke thënë vetëm se “duhet të punohet më shumë” në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar më herët se është i gatshëm të takohet me Zelenskyn, por vetëm në një fazë të fundit të procesit të negociatave, kur një marrëveshje paqeje të jetë gati për nënshkrim.