-sidi education-spot_img
4.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Serwer: Gjykata Speciale e ka humbur rrugën, takimi me Thaçin

Kryesoret

Profesori amerikan dhe eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, ka renditur katër pika që sipas tij tregojnë se çka nuk po shkon me Gjykatën Speciale dhe rastin e akuzës ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Serwer ka njoftuar në uebfaqen e tij se i ka kaluar 40 minuta në Qendrën e mbajtjes në Hagë të premten me ish-presidentin Hashim Thaçi. Në një shkrim me titull “Një gjykatë që ka humbur rrugën”, Serwer ka thënë se procesi është mashtrim. Ai ka thënë se nuk e ka imagjinuar kurrë që ish-udhëheqësit e UÇK-së do të gjykohen për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” e jo për “akuza për trafikim organesh”.

“Parlamenti i Kosovës besonte, si unë, se fokusi i gjykatës do të ishin pretendimet për trafikim organesh”, ka thënë ai për pikën e parë. Pikë e dytë sipas tij është natyra e akuzave të ngritura. “Akuzat për ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’ bazuar në përgjegjësinë komanduese ndaj gjithë udhëheqjes ushtarake e politike të UÇK-së, krijojnë përshtypjen se po kriminalizohet vetë revolta kundër shtypjes serbe”, ka shtuar ai.

Në “problemin” e tretë ai ka thënë se është mospërfshirja e Serbisë në juridiksion të gjykatës. Këtu ka përmendur rastin e vrasjes së tre vëllezërve Bytyçi. “Sikur diplomatët të kishin këmbëngulur që tribunali të merrej edhe me ato krime, ndoshta sot do të kishim një tribunal më të drejtë ose asnjë fare. Fajin e marr edhe vetë që nuk e ngrita këtë çështje në atë kohë”, ka shtuar ai.

Për pikën e fundit, të cilën e ka cilësuar si më të rëndësishmen, Serwer ka thënë se është kohëzgjatja që ish-udhëheqësit e UÇK-së e kanë kaluar në paraburgim. “Parimi ‘i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia’ nuk duhet të jetë slogan bosh. Këta njerëz dhanë dorëheqje dhe shkuan vullnetarisht në Hagë – diçka që kundërshtarët e tyre në Serbi nuk e bënë. Si mund të justifikosh pesë vjet burg (burg me siguri të lartë, nga ajo që pashë vetë) para se të zbulohet nëse dikush është fajtor?” ka thënë ai.

Serwer po ashtu ka thënë se shpreson që verdikti “të mbahet i izoluar nga pritjet e qeverive evropiane se duhet të ketë dënime për qindra miliona euro që i kanë derdhur”. Serwer nuk ka dhënë shumë detaje nga takimi me Thaçin në Hagë. Ai ka rrëfyer për takimet e para në jetë që i ka pasur me Thaçin. Ka treguar se takimin e parë e ka pasur më 1999 kur Thaçi vizitoi SHBA-në. Sipas tij, atë kohë ka pasur dhunë mes shqiptarëve pas luftës dhe ka pasur shqetësim në SHBA se mund të çojë në luftë civile. “Krimet padyshim ndodhën pas luftës”, ka shkruar Serwer.

Profesori amerikan ka thënë se Thaçi ishte i preferuari i amerikanëve në bisedimet e Rambujesë në fund të 1998-s. Por sipas tij nuk ka pasur mbështetje të plotë amerikane pas luftës për shkak të pakënaqësisë me emërimin e disa kryetarëve të rinj të komunave. Në fund, Serwer ka ndarë detaje nga një takim para 26 vjetësh në Lansdwone me Thaçin.

“Para 26 vjetësh, gjendesha në Lansdowne me të dhe një nga komandantët e UÇK-së në mëngjes. U përpoqa ta nis bisedën duke thënë se duhej të ishte e çuditshme për ta të ishin në një resort luksoz në Virxhinia, kur vetëm disa javë më parë kishin luftuar në malet e Kosovës. Hashimi shikoi komandantin e UÇK-së që ishte me të, i cili ngrysi vetullat, dhe u kthye nga unë duke thënë: “Unë në të vërtetë nuk kam qenë luftëtar. Kam qenë zëdhënës politik”. Mendoj se atë moment Hashimi ishte nën shumë presion për të më thënë të vërtetën”, ka përfunduar Serwer.

Gjykimi ndaj Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, nisi në vitin 2023, tri vjet pasi ishin arrestuar dhe dërguar në mbajtje në gjykatën e Kosovës në Hagë.

Tani, më shumë se dy vjet më vonë, gjyqi ndaj tyre po shkon drejt përfundimit, pasi muajin e kaluar mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, thirri dëshmitarët e parë. Në mbrojtje të dëshmuan në shtator ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan.

Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-në. Gjykata Speciale pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit