Në emisionin “5Pyetjet” në Report TV me Ilir Babaramon, juristi Leonard Karaj komentoi mbi barazinë mes palëve në procesin gjyqësor dhe mënyrën si funksionon aktualisht drejtësia në Shqipëri.
Ai ngriti shqetësime lidhur me raportin mes prokurorisë dhe mbrojtjes, si dhe rolin real të avokatit në sallën e gjyqit.
“Në shumë vende si Italia, prokurori dhe avokati hyjnë në sallën e gjyqit nga e njëjta derë, ashtu si edhe gjyqtari. Tek ne prokurori futet nga pas, me një status tjetër, dhe kjo tregon që nuk ka barazi mes palëve në proces. Ku është drejtësia në këtë rast?
Unë kam marrë edhe masa të tjera konkrete për këtë çështje. Nuk mund të konceptohet që në një gjyq të mungojë debati i barabartë. Kush e ka fajin? Avokati? Gjyqtari? Apo mënyra si i trajtojmë palët?
Avokati nuk është thjesht orendi në sallë. Ai është aty për të zhvilluar një debat të vërtetë gjyqësor. Fryma e ligjit penal si në germë, ashtu edhe në thelb kërkon të ketë një lojë mes ndëshkimit dhe mëshirës. Jo gjithmonë burg për çdo rast!
Ka raste të dhunës së vazhdueshme që dënohen me 4-5 vite burg. Ndërsa zyrtarët e lartë nuk preken fare, as nuk ndëshkohen. Qytetari i thjeshtë e vuan gjithmonë. Ky është realiteti,” shprehet Karaj.








