Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim të veçantë me mësuese dhe mësues, ku ndau disa nga objektivat kryesore për mandatin e saj, me fokus të veçantë tek arsimi dhe modernizimi i shkollave.
“Shkolla është qendra më e rëndësishme e një komuniteti. Klasa është vendi më i rëndësishëm i shkollës. Aty formohen brezat e ardhshëm”, u shpreh Manastirliu, duke theksuar se çdo projekt i bashkisë do të ketë një dimension të qartë social dhe përfshirës.
Ajo premtoi se marrëdhënia mes shkollës, familjes dhe bashkisë do të fuqizohet dhe do të kthehet në një instrument real për zhvillimin e komunitetit. “Në shkollë është gjithë energjia – e fëmijëve, e prindërve, e mësuesve. Dhe kjo energji duhet kthyer në dije dhe kënaqësi për të gjithë”, theksoi ajo.
Në fokus të programit të saj, Manastirliu renditi krijimin e kushteve më të mira për mësimdhënie, investimet në infrastrukturë shkollore dhe përfshirjen aktive të komunitetit në zhvillimin e arsimit.