Pas rikthimit në ekipet e tyre, legjionarët kuqezi kanë vazhduar me paraqitje të shkëlqyera, duke qenë protagonistë me gola dhe asiste gjatë fundjavës.
Sulmuesi i Kombëtares, Rey Manaj, gjeti sërish rrugën e rrjetës me skuadrën e tij Al Sharjah, duke shënuar golin e dytë në fitoren 2-0 ndaj Al Dhafra. Ky ishte goli i tij i dytë për këtë sezon me fanellën e klubit arab.
Nazmi Gripshi po kalon një formë të jashtëzakonshme me FC Astana. Në fitoren 5-3 ndaj Aktobe, ai realizoi nga pika e bardhë, duke e çuar në 16 numrin e golave sezonal në kampionatin kazak dhe duke kryesuar renditjen e golashënuesve.
Rrugën e rrjetës e gjeti edhe Jasir Asani, i cili i dha fitoren skuadrës së Esteghlal FC ndaj Mes Rafsanjan me një gol vendimtar në minutën e 11-të të takimit.
Në Turqi, Arlind Ajeti ishte protagonist me një asist në barazimin 1-1 të Bodrumspor në transfertë ndaj Erokspor. Qendërmbrojtësi kuqezi shërbeu saktë për Fredy në minutën e 29-të, duke zhbllokuar rezultatin.
Në Itali, Ylber Ramadani u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes në takimin mes Lecce dhe Sassuolo, të mbyllur në barazim 0-0. Mesfushori kuqezi shkëlqeu me një performancë shumë të mirë dhe ndikim të madh në mesfushë.
Moment i veçantë edhe për Arbër Hoxhën, i cili e nisi si titullar ndeshjen Dinamo Zagreb – Osijek, ndërsa para takimit mori çmimin si “Lojtari i Muajit” në kampionatin kroat, në vlerësim të paraqitjeve të tij të shkëlqyera dhe kontributit të madh për skuadrën e tij.
Një tjetër lajm pozitiv ishte rikthimi në fushë i Ardian Ismajlit, që ka lënë pas dëmtimin dhe mori disa minuta në fitoren e Torinos ndaj Napolit.
Titullarë këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Enea Mihaj, Berat Gjimshiti, Medon Berisha, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Mirlind Daku dhe Taulant Seferi.