Reperi kosovar, Fero, ka sqaruar situatën e tij me ish-partneren, modelen Arbenita Ismajli, dhe vajzën e tyre, pas akuzave të ndërsjella. Ai tha se nuk e ka takuar vajzën që nga 5 tetori 2024 dhe ka bërë përpjekje të shumta për të realizuar takime, por pa sukses.
“Qëllimi im është vetëm të shoh vajzën. Kam tentuar shumë herë, por nuk kam mundur. Kur nuk e sheh vajzën për një kohë kaq të gjatë, emocioni shpesh bën që të shpërthesh,” tha Fero në emisionin Mirembrema Yje.
Ai shtoi se një marrëveshje e nënshkruar për të garantuar takimet me vajzën nuk është respektuar, duke përmendur se vendimi i institucioneve të Kosovës parashikonte takime 4 ditë në muaj, por nuk u zbatuan. Fero theksoi gjithashtu se një urdhërarrest është lëshuar dhe procedurat për fletarrest ndërkombëtar janë në proces.
Reperi bëri të qartë se nuk ka dashur të flasë keq për ish-partneren dhe se marrëdhënia e tij me vajzën mbetet prioritet i tij kryesor.








