Pas agresionit rus më 24 shkurt 2022 kundër Ukrainës, SHBA-të dhe Europa demokratike e kanë mbështetur dhe ndihmuar Kievin me fonde dhe armatime të shumta dhe të njohura. Tashmë është konfirmuar, sidomos nga BE-ja dhe NATO se kjo ndihmë dhe mbështetje do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ndërkohë, edhe Ukraina, me ushtrinë dhe luftën e saj heroike, e cila ka hyrë në muajin e saj të 44-t kundër një agresori të madh dhe të fuqishëm po jep shumë mësime të vyera për Europën dhe vendet e tjera lidhur me metodat e një lufte moderne, armatimet e prodhuara nga ajo vetë dhe efektivitetin e përdorimit të etj. Në shumë konferenca dhe seminare, në intervista dhe prononcime mediatike, ekspertë perëndimorë ushtarakë kanë nxjerrë në pah pesë mësime themelore dhe tejet të dobishme, që dalin nga lufta e ushtrisë Ukrainase. Këto mësime janë me interes për të gjitha shtetet, përfshi edhe vendin tonë, pavarësisht nga shkalla e rrezikut dhe angazhimit në një luftë të mundshme.
Ca më tepër se, siç kanë treguar javët e fundit sulmet dhe inkursionet ruse me dronë në disa vende anëtare te NATO-s, Europa duket se është ende e papërgatitur për të përballuar sfidat dhe kërkesat e larta të një lufte të mundshme të shpejtë kundër saj, si ajo që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë, por edhe në forma të tjera. Ndaj, me të drejtë Europa dhe NATO ka kohë që po u bien fort kambanave të alarmit për kërcënimet ruse, madje edhe për një sulm të mundshëm ndaj vendeve anëtare të NATOs në vitet e ardhshme. Në këtë kuadër, BE-ja, në bashkëpunim të ngushtë me Britaninë e Madhe, Turqinë dhe vende të tjera miratoi në muajin mars të këtij viti projektin e saj madhor “Riarmatimi Europian 2030”, me qëllim që brenda vitit 2030, BE-ja të kthehet edhe në një bashkim të madh ushtarak, për të qenë në gjendje ta mbrojë veten e saj, me SHBA-të si aleate, por në rastin më të keq edhe vetë, me forcat dhe burimet e saj.
Më konkretisht, ajo ka miratuar fondin gjigant prej 850 miliardë euro, si dhe 150 miliardë euro të tjera për infrastrukturën ushtarake. Po ashtu, në Samitin historik të NATO-së më 25 qershor në Hagë, u ra dakord për rritjen e kontributit të secilit vend anëtar të NATO-s nga 2 në 5 për qind të GDP-së. Ndërkohë, Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka shpallur publikisht se shumë shpejt Gjermania të bëhet fuqia më e madhe ushtarake e BE-së. Mirëpo, me gjithë rëndësinë jetike të këtyre masave, reformave dhe fondeve monetare, prapë vetëm ato nuk janë të mjaftueshme për suksesin strategjik në një luftë apo agresion të ardhshëm. Vendimtare janë trupat, teknikat dhe metodat e luftimit, ku pajisjet ushtarake dhe armatimet në përgjithësi zënë “pjesën e luanit”. Ja pse vendet europiane të NATO-s duhet dhe kanë filluar të mësojnë nga përvoja ushtarake e luftës moderne të Ukrainës. Le t’i shohim me aq sa e lejon vendi pesë mësimet kryesore që jep kjo përvojë e pasur.
KËRKOHEN USHTRI MË TË MËDHA!
Në shumë vende anëtare në krahun lindor të NATO-s prania e ushtrive të mëdha në numër është bërë me kohë realitet në terren, ndërsa në vende të tjera ka ende shumë debate lidhur me ushtritë masive. Lufta në Ukrainë ka treguar se ushtritë e vogla, qoftë edhe me lëvizshmëri të lartë dhe e pajisur me gjithë ekspertizën e nevojshme, si ato që vepronin në vitet ‘90 nuk mjaftojnë më për të luftuar me sukses kundër Rusisë. Ca më tepër, se në një kohë kur vendet anëtare të NATO-s po hasin shumë vështirësi për shtimin e trupave ushtarake që ato i reduktuan në masë pas viteve ‘90, Rusia rekruton pa problem çdo muaj 30.000 ushtarë aktive. Kështu, Bundesvehri gjerman po has shumë vështirësi për të kapur shifrën 200.000 ushtarë aktivë. Aktualisht ai numëron 182.000 ushtarë të shërbimit aktiv nga rreth 500.000 që numëronte përpara viteve ‘90. Mirëpo, në përputhje me standardet dhe kërkesat e NATO-s, sipas Robert Sieger, president i Zyrës Federale për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore të Bundesvehrit, aktualisht Gjermania ka nevojë për 260.000 ushtarakë aktivë dhe 200.000 rezervistë. Ndonëse edhe ky është numër i vogël përballë kërkesave shumë më të larta. Sipas inspektorit të Bundesvehrit, Alfons Mais dhe një dokumenti të brendshëm të botuar nga gazeta gjermane “WELT AM SONNTAG”, në të ardhmen Gjermanisë do t’i duhen edhe 150.000 trupa të tjerë, nga të cilët 140.000 për sigurinë e brendshme. Një sfidë e vërtetë mamuthiane për Gjermaninë.
NOVATORIZËM TEKNIK
Ukraina është një shembull dhe model edhe për dinamikat e shpejta të novatorizmit teknik. Në mesin e periudhës së luftimeve të ashpra kundër trupave ruse, atje u krijua nga hiçi një industri me qindra prodhues dronësh, të cilët prodhojnë çdo vit me miliona dronë. Përpara agresionit rus të 24 shkurtit 2022, në këtë fushë në Ukrainë ishin aktive 50 firma private, ndërsa aktualisht ka mbi 400 të tilla. Megjithatë, kërkimet dhe zhvillimi teknologjik nuk kanë përfshirë vetëm industrinë e dronëve. Firmat atje po investojnë edhe në sistemet e IA-së, në robotikë, sigurinë kibernetike dhe në prodhimin e llojeve të reja të sistemeve të armatimit. Shteti dhe investitorët e mëdhenj po i kushtojnë rëndësi të madhe krijimit dhe funksionimit të firmave të reja dhe ‘start up’- eve teknologjike: nëpërmjet inkubatorëve, fondeve dhe të ashtuquajturve “Investorëve engjëj”. Me bonuse promovues prej 25.000 euro, firmat novatore mund të eksperimentojnë pa ndonjë rrezik financiar ide të reja. Fondet në para shpërndahen jo vetëm nga burimet private financiare, por edhe platforma bashkërenduese shtetërore “Brave1”. Ndërkohë që sektori i mbrojtjes ka kohë që është përjashtuar nga taksa mbi vlerën e shtuar.
LUFTA ME DRONË
Nuk ka dyshim se dronët nuk zëvendësojnë dot avionët luftarakë, raketat me rreze të gjatë veprimi dhe artilerinë. Por, lufta në Ukrainë ka treguar se pa dronë, lufta nuk ka shanse për fitore. Madje, siç pohoi disa ditë më pare edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, “dronët po ridefinojnë dhe vetë luftën e sotme moderne, ndaj ato nuk janë më fakultative, por domosdoshmëri”. Këtu përfshihen dronë të lirë që drejtohen nga pilotë me ndihmën e një kamere të telekomanduar kundër këmbësorisë dhe mjeteve të blinduara në front, dronë të rëndë me motor me lëndë djegëse kundër objektivave që ndodhen me qindra km në thellësi të territorit armik, dronë detarë kundër anijeve dhe objekteve fluturuese armike. Pas mbi tri vite luftë heroike, Ukraina ka ndërtuar një ekosistem të tërë me dronë që përfshin zhvillimin, prodhimin dhe trajnimin e ushtarëve për përdorimin e dronëve. Një gjë e tillë nuk ekziston as në Europë dhe as në SHBA.
Disa prodhues europianë si “Donaustahl” nga Bavaria e Poshtme prodhojnë me “MAUS”, dronët e parë FPV të një vendi të NATO-s dhe i eksportojnë produktet e tyre në Ukrainë. Por Bundesvehri, ndryshe nga Kina, nuk i prodhon dot ato, sepse procedurat e licencimit në Gjermani për firmat e vogla janë të ndërlikuara dhe të shtrenjta. Ndërkohë, incidentet dhe inkursionet ruse me dronë të javëve të fundit ndaj disa vendeve anëtare të NATO-s nxorën në pah mungesat dhe dobësitë e shumta dhe serioze të mbrojtjes europiane. Në këto raste u desh ndërhyrja e avionëve luftarakë F–16, që kushtojnë me miliona, në mos miliarda euro, për të shkatërruar dronë që nuk kushtojnë më shumë se dhjetëra mijëra euro. Në këto kushte, BEja ka vendosur që brenda vitit 2027 të ndërtojë një mur gjigant europian antidron për të zbuluar, paralajmëruar dhe asgjësuar çdo sulm me dron. Ky projekt gjigant, që do të kushtojë me qindra miliarda euro, do të jetë pjesë përbërëse e sistemit mbrojtës të BE-së, i cili do të ndërtohet brenda vitit 2030. Synimi madhor i këtij muri është që tanimë edhe si Bashkim i madh mbrojtës, BE-ja të jetë në gjendje të mbrohet me sukses nga çdo sulm armiqësor me dronë. Miratimi i këtij projekti pritet të bëhet në Samitin e BE-së më 23/24 tetor në Bruksel.
PROCEDURA MË TË SHPEJTA PROKURIMI
Ushtria ukrainase në kohë të vërtetë luftimi u është përshtatur kërkesave dhe sfidave të reja. Për këtë qëllim kërkohet jo vetëm fuqi novatore nga ana e firmave të pajisjeve ushtarake dhe e “start up”-eve, por edhe gatishmëria e ushtrisë për të reaguar me shpejtësi ndaj ndryshimeve bashkë me organizimin e procedurave të prokurimit me ritme të përshpejtuara. Një vend në luftë si Ukraina tani nuk mund të lejojë burokraci të madhe lidhur me prokurimet, në vendimmarrjen për një projekt të caktuar dhe të bëjë porosi për blerje armatimesh te një kompani pajisjesh ushtarake. Kështu, në Ukrainë, duhen vetëm pak muaj për të kaluar nga momenti i provës së parë, te përdorimi i armëve. Po ashtu, midis provës së parë dhe ndërtimit të sistemeve “Sky Fortress” që kap dronët rusë në të gjithë vendin nuk kalon më shumë se një vit kohë. Nisur nga sa sipër, vendet europiane të NATO-s duhet të optimizojnë ritmet e prokurimit, duke i njehsuar ato, të koordinojnë më mirë porositë e koncerne të mëdha për armatime dhe të mundësojnë qasjen ukrainase në kontratat europiane.
PRODHIM MASIV I ARMATIMIT
Edhe armatimet e teknologjisë së lartë nuk kanë vlerë nëse nuk prodhohen në masë, këtë përvojë nuk e tregon vetëm Ukraina, por edhe vendet europiane anëtare të NATO-s, të cilat i dërgojnë Ukrainës sisteme armatimi që ato prodhojnë vetë. Europianët i kanë prodhuar shpejt municionet e artilerisë në luftërat e kaluara, po me sisteme komplekse armatimi ato kanë probleme, si në rastin e raketave ajrore. Ndërkohë, qëllimi tjetër është reduktimi i varësisë nga SHBAtë. Sipas Institutit suedez të Kërkimeve për Paqe (SIPRI) deri në vitin 2024, 2/3 e armatimit në Europë e kanë origjinën në SHBA. Kjo duhet të ndryshojë. Sipas “Politico”, Bundesvehri vitin e ardhshëm do të porosisë pajisje ushtarake me vlerë 83 miliardë euro. Ndryshe nga më parë, vetëm 8 për qind e kësaj shume do të destinohet për në SHBA, ndërsa pjesa tjetër do t’u paguhet firmave europiane të armatimit. Së fundi, nuk ka dyshim se përvetësimi, prodhimi dhe përdorimi i taktikave, teknikave dhe armatimeve të lartpërmendura moderne sipas modelit ukrainas do të shtonte ndjeshëm garancitë për një mbrojtje më efektive dhe më të sigurt, për fitoren e Europës dhe vendeve të veçanta ndaj çdo sulmi dhe agresioni armik.








