Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar atë si “një njollë të zezë për historinë demokratike të Shqipërisë”.
Në një postim në rrjetet sociale, Shehu u shpreh se dokumenti ndërkombëtar konfirmon akuzat e bëra prej muajsh nga opozita dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha. Sipas tij, raporti dëshmon se standardet demokratike janë shkelur rëndë dhe se vendi ndodhet në një gjendje që ai e përkufizon si “autokraci moderne”.
“Raporti i OSBE/ODIHR është një pasqyrë e hidhur e realitetit tonë politik. Aty vërtetohet se zgjedhjet e lira janë rrëzuar, duke e kthyer demokracinë shqiptare në një sistem të deformuar që nuk respekton më rregullat themelore të garës politike,” shkroi Shehu.
Deputeti demokrat theksoi se ky raport duhet të shërbejë si thirrje për reflektim dhe veprim qytetar. “Kjo e vërtetë kërkon një reagim të gjerë shoqëror, një lëvizje që të kundërshtojë regjimin dhe deformimin e demokracisë,” shtoi ai.
Në komentin e tij, Shehu vlerësoi rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha në denoncimin e parregullsive zgjedhore, duke e cilësuar atë “shtytësin kryesor në zbardhjen e së vërtetës”. Ai nënvizoi se Partia Demokratike duhet të vazhdojë misionin e saj për të ndalur “revanshin e pushtetit” dhe për të rikthyer votën e lirë.
“Berisha ka kontribuar që kjo e vërtetë të dalë në dritë. Tani është koha që të gjithë qytetarët të përfshihen për të mbrojtur demokracinë,” përfundoi Shehu.









