Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) shënoi përparime të dukshme gjatë vitit 2024 në vlerësimin e prokurorëve dhe menaxhimin e vakancave në sistemin e drejtësisë.
Kryetarja e Këshillit, Mirela Bogdani, raportoi sot në Kuvend për aktivitetin e KLP-së, duke theksuar numrin e lartë të vlerësimeve të përfunduara, ngritjet në detyrë dhe proceset disiplinore të zhvilluara gjatë vitit.
“Për vitin 2024 janë miratuar nëntë raporte të vlerësimit etik dhe profesional, ndër të cilët shtatë raporte periodike, një raport për drejtues dhe një raport i përshpejtuar. Aktualisht kemi përmbyllur numrin 46 të vlerësimeve etike dhe profesionale të prokurorëve.
Në vijim të këtij procesi Këshilli ka vijuar intensivisht procesin e verifikimit të figurës dhe pasurisë për 25 kandidatë që kanë ndjekur formimin fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës për vitin 2024-2025. Për vitin 2024 kemi verifikuar 23 kandidatë që kanë përfunduar formimin fillestar dhe kemi kryer verifikimet për 9 kandidatë për pozicionin drejtues për Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm.
Bogdani theksoi gjithashtu rëndësinë e menaxhimit të vakancave: “Në vitin 2024 numri i prokurorëve në detyrë ka qenë 218, nga 341 që parashikohen të jenë në sistem. Aktualisht kemi 284 prokurorë, me 57 vakanca të përhershme dhe 39 vakanca të përkohshme. 57 vakancat e përhershme planifikohen të mbyllen në harkun kohor të dy viteve e gjysmë.”








