Kushërinjtë Lekstakaj kanë mohuar akuzat që Edmond Haxhia ka qenë porositësi i vrasjes së Ardian Nikulaj, duke i quajtur ato të pabaza dhe duke akuzuar Prokurorinë dhe Policinë e Lezhës për mbylljen e hetimeve pa i çuar deri në fund.
Në një intervistë për emisionin “Në kohë reale” në RTSH, kushërinjtë Lekstakaj akuzojnë Prokurorinë Lezhë se nuk po zhvillon hetim të plotë të vrasjeve dhe se nuk po merr në pyetje dëshmitarët, ku dhe vetë ata kanë qenë të pranishëm në disa prej ngjarjeve.
Kushërinjtë Lekstakaj kanë ngritur akuza të forta ndaj Prokurorisë dhe Policisë së Lezhës për lidhje të mundshme me familjen Nikulaj, duke i akuzuar ata se kanë furnizuar me makinë të blinduar dhe armë pa leje. Ata kanë kërkuar hetim të thelluar dhe drejtësi, duke thënë se kanë humbur katër anëtarë të familjes dhe se gjithçka që është bërë deri tani është një “minë me sahat”.
“Ne kemi ankesat tona se prokuroria dhe policia e Lezhës mbyllën hetimet dhe nuk i çoi ato deri në fund. Prokuroria nuk po merr provat dhe dëshmitarët, por i mbyll çështjet pa hetuar. Në vitin 1997 unë kanë qenë me xhaxhain dhe nipin për të shkuar te toka për të mbjellë bar dhe pas 10 minutash kanë dalë nga kanali Arben dhe Ardian Nikulaj pa pasur asnjë konflikt, pa thënë asnjë fjalë. Ky ka qenë konflikti i dytë”, u shpreh Klodian Lekstakaj.
“Kam qenë unë dëshmitar se si nisi gjakmarrja në qershor të 1997.Ikëm në karburant për të paguar 500 lekë naftë që i kishte marrë kushëriri ynë dhe atje na prinisnin me automatik në dorë dhe filluan të gjuajnë. Në atë kohë shteti ishte në kolaps dhe më pas Ardiani u hakmor duke më vrarë xhaxhain dhe nipin. Në vitin 1999 më kanë plagosur babanë dhe më kanë vrarë xhaxhain tjetër nga Nikoll Nikulaj.
Ai është hakmarrë për herë të dytë. Që në 1997 ne ikëm në Angli pasi ishim në gjak dhe kemi 20 vite që merremi me prokurorinë e Lezhës pasi ia kemi lënë këtë çështje që të flas drejëtsia. Ne kemi lidhje vetëm me vrasjen në karburant në 1997 dhe gjykata na ka dënuar të gjithë ne. Vrasjet e tjera që na kanë bërë ne nuk i ka zbardh askush. E kemi çuar çështjen në SPAK dhe ILD dhe presim përgjigjen në do e marrin në shqyrtim.
Prokuroria dhe policia e Lezhës janë të lidhur me Nikulajt, i kanë pajisur me makina të blinduara, armë pa lejë dhe ruhen me policia si bodyguard. Policia ka armatosur gjakësit tonë. Duam drejtësi deri në fund se më kanë vrarë 4 pjesëtarë të familjes. Para 3 javës i vranë qenin dhe investuan 3 ditë, për njerëzit e vrarë nuk kanë bërë asnjë hetim. Kemi dëshmitarë, por në prokurorinë e Lezhës nuk i marrin për të dëshmuar, ata nuk i lejnë me fol.
Kur kemi hyrë në gjak për herë të parë kemi tentuar të bënin pajtim gjaqesh, por që atëherë jo më. Ajo nuk u pranua por janë hakmarrë duke vrarë 4 persona. Ne kemi edhe një lidhje fisnore ne Nikulajt. Edmond Haxhia që akuzon prokuroria si porositësin e vrasjes të Ardian Nikulaj nuk ka lidhje fare me këtë ngjarje, pasi ai nuk është në gjak me to”, u shpreh Elton Lekstakaj.
Në përfundim, kushërinjtë Lekstakajt kërkojnë që çështja të hetohet nga organet më të larta të drejtësisë, duke kërkuar që të dërgohet në SPAK dhe të merren masat për ndëshkimin e personave përgjegjës për vrasjet dhe ngjarjet e tjera të lidhura me familjen Nikulaj.
“19 korrik 2023 doli për të blerë diçka në market ku është hasur me plumba sa ka dalë nga dera pa asnjë lloj paralajmërimi. Ishte në punë të vet dhe nuk jemi ruajtur se nuk i kishim borxh askujt. Prej asaj dite prokuroria e policia Lezhë nuk japin asnjë lloj informacioni.
Ka dëshmitarë për vrasjen, por nuk e pranojnë në prokurorinë Lezhë dhe ne duam ta çojmë këtë në SPAK. Ne ja kemi lënë drejtësisë dhe nuk kemi me u marr privatisht, por shteti nuk bën gjë dhe mban një dosje që është një minë me sahat. Familja ime është kërcënuara haptazi dhe policia e di dhe nuk bën asgjë”, u shpreh Blediar Lekstakaj.
Si nisi saga e vrasjeve
Konflikti mes familjeve Lekstakaj dhe Nikulaj ka nisur në vitin 1997, kur vëllai i Ardian Nikulajt, Pëllumb Nikulaj, u vra në një karburant në Lezhë. Një debat për një pagesë të papaguar për karburant rezultoi në një ngjarje të armatosur, ku u vra Pëllumbi dhe kolegu i tij, Fran Qulaj. Pak muaj pas kësaj ngjarje, më 29 shtator të vitit 1997, në Balldre të Lezhës u vranë Gëzim Ded Lekstakaj dhe Lauren Ndoc Gjetja, konkretisht dajë e nip. Ndërsa më 30 mars të vitit 1999, është vrarë shtetasi Gjovalin Lekstakaj dhe është plagosur Pjetër Lekstakaj.
Më 19 korrik 2023 në Balldre të Lezhës u qëllua për vdekje me armë zjarri 42-vjeçari Nikolin Marku Lekstakaj. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur si hakmarrje për vrasjen e Ardian Nikulajt. Ky i fundit u qëllua për vdekje në lokalin e tij në Shëngjin./ RTSH









