Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, nga foltorja e Kuvendit vlerësoi të mirat e reformës në drejtësi, por paralelisht kritikoi sfidat që mbeten, si kohëzgjatja e shqyrtimit të dosjeve dhe disa mangësi në zbatimin e saj.
Ai theksoi se drejtësia nuk mund të qeveriset nga politika dhe kërkoi përmirësime në funksionimin e institucioneve përkatëse.
“Ne po debatojmë për një çështje të së drejtës. Mirëqeverisja është procesi që e mban këtë sistem funksional, llogaridhënës dhe transparent. Projekti i reformës në drejtësi ka pësuar transformim, duke i dhënë sistemit të drejtësisë autonomi. Ishte zgjidhje moderne. Drejtësia nuk mund të qeveriset nga politika.”
Ai shtoi gjithashtu: “Perceptimi i krijuar është se nuk ka dhënë impaktin e duhur në drejtësi. Kam qenë kritik për mënyrën se si u zbatua harta gjyqësore, për mungesën e vizionit dhe strategjisë. Pa u planifikuar më parë periudha transzitore dhe kjo hartë, periudha e transferimit të dosjeve, janë tregues të mangësive të këtij projekti. Kohëzgjatja e shqyrtimit të dosjeve gjyqësore është ende e lartë.”








