BDI humbi sepse ajo u tradhëtua nga njerëzit e saj çunak, nga ata që dikur premtonin besnikëri, por sot e kanë harruar se për kënd punojnë. Humbja nuk erdhi nga jashtë, por nga brenda.
BDI humbi nga Lul Basha i Tetovës, i cili kur shikohej në pasqyrë i dukej vetja Skënderbe, por nuk kishte asnjë vizion dhe asnjë lidhje me popullin. BDI humbi se u mashtrua nga disa çunak që thonin se Edi Rama do të fitonte Tetovën, na ka dërgua piarin e tij. Kjo është gënjeshtra më e madhe, dhe populli nuk e harron lehtë. Partia humbi sepse u shkëput nga njerëzit e thjeshtë, nga mërgimtarët, veteranët dhe nga ata që i besuan për drejtësi dhe punë të mirëfilltë. Drejtuesit e rinj që erdhën nga rruga, harruan një rregull të thjeshtë: dy kunguj në një sqetull nuk mbahen. Nuk mund të kesh tri poste njëherësh dhe të presësh që populli të të besojë si përfaqësues të tij.
BDI humbi sepse filloi të besojë se nuk mund të rrëzohet. Por tradhtia ndaj idealit të vet dhe arroganca e drejtuesve e çuan drejt humbjes. Populli nuk fshihet pas premtimeve boshe dhe nuk lejon të mashtrohet përgjithmonë.
Ali Ahmeti duhet të reflektojë. Të shohë ku gaboi, të analizojë rolin e drejtuesve të rinj dhe të rikthehet tek njerëzit e thjeshtë që mbajtën gjallë partinë. Vetëm atëherë mund të ringrihet besimi i humbur dhe të ndërtohet një parti që fiton me dinjitet, jo me mashtrime. Përndryshe, BDI do të përfundojë shumë shpejt si PPD dhe PDSH, duke humbur rolin historik të saj.
Tirana zyrtare dhe Prishtina duhet të punojnë më shumë me shqiptarët e Maqedonisë, të cilët janë nën presion shtetëror prej mbi 100 vitesh dhe shpesh trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Njoh shumë mirë Tiranën, Prishtinën dhe Tetovën; e di sesi politika e jashtme ka lënë shpesh pas komunitetin tonë. UDBA ka punuar shumë ndër vite me gjeneratat, duke krijuar ndarje dhe pasiguri.
Për Bajram Rexhepin më vjen keq: një njeri me integritet dhe kulturë njerëzore, por që u dogj politikisht nga Lul Basha me kompani. Ky është një shembull se si tradhtia dhe ambicia personale mund të shkatërrojnë njerëzit dhe idealet më të mira.
Sot, shqiptarët e Maqedonisë kërkojnë drejtësi, përfaqësim real dhe lidership që nuk shitet me premtime boshe. Pa reflektim të sinqertë dhe kthim tek rrënjët, humbja e BDI-së nuk do të jetë një incident, por një trend i dhimbshëm historik.
Arben Llalla: Përse humbën kandidatët e BDI?









