Florian Binaj njoftoi se do të kandidojë për kryebashkiak të Tiranës, duke theksuar se qëllimi i tij është ndryshimi i qytetit dhe shërbimi për qytetarët me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë.
Në një deklaratë, Binaj shprehet se kandidatura nuk është për pushtet, por për të bërë Tiranën një shtëpi më të mirë për qytetarët dhe për brezat e ardhshëm.
Ai falënderoi mijëra qytetarë për mbështetjen dhe besimin e dhënë, duke shtuar se rrugëtimi i tij për ndryshim vazhdon pa ndalim.
Reagimi i Florian Binajt
Për mua dhe për qytetarët e Tiranës thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim.
Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë.
Kjo nuk është garë për pushtet, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Mbështetja, inkurajimi dhe besimi që më kanë dhënë mijëra qytetarë këto ditë më kanë bindur se së bashku ne do t’ja dalim.
Rrugëtimi ynë vazhdon.
Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë.








