Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të premtes vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Gjirokastrës, Julian Çafka, pas përfundimit të trajnimit një vjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës, që u urdhërua të kryente si pasojë e probleme profesionale të konstatuara.
Vendimi u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, e Sokol Çomo anëtarë, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të rezultateve të arritura prej këtij subjekti rivlerësimi në Shkollën e Magjistraturës. Vendimi i Kolegjit është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Prokurori Julian Çafka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 14 shtator 2021, pasi disa çështje të denoncuara nga publiku për të cilat u konstatuan mangësi në hetimet e kryera, nuk u gjetën penalizuese. KPK vendosi të transferojë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dy çështje të hetuara prej subjektit në vitet 2018 dhe 2019.
Vendimarrja u ankimua në KPA nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili evidentoi probleme profesionale të subjektit dhe kërkoi që ai të dërgohej për trajnim një vjeçar të detyrueshëm pranë Shkollës së Magjistraturës, kërkim që u gjet i drejtë nga shumica e trupit gjykues të Kolegjit./ Birn









