Janë zbardhur të tjera detaje nga dosja hetimore e SPAK që përfshin bisedat mes ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku dhe ish-kreut të ARRSH-së Evis Berberi, lidhur me procedurat e tenderit të tunelit të Llogarasë.
Në komunikimet e siguruara nga aplikacioni “Signal”, Balluku dhe Berberi flasin për takime dhe diskutime për projektin disa ditë para shpalljes së fituesit të tenderit.
Në një nga bisedat, e datës 29 gusht 2021, Balluku i shkruan vartësit të saj:“Në darkë o zemër”,
Pasi ky i fundit kishte keqkuptuar orarin e takimit.
Në mesazhet që vijojnë, zv.kryeministrja i dërgon Berberit edhe udhëzime për vendndodhjen:“Po futem në garazh, hajde lart më mirë, Shkalla H”.
Sipas dosjes, takimi mes tyre është zhvilluar në mbrëmjen e 29 gushtit, ndërsa një ditë më pas, më 30 gusht 2021, ata janë takuar me tre shtetas turq, përfaqësues të kompanisë “Intekar-ASL”, e cila më vonë u shpall fituese e tenderit për tunelin e Llogarasë.
Të dhënat e sistemit TIMS konfirmojnë se shtetasit turq Ayhan Altun dhe Çagri Silahtaroglu kanë hyrë në Shqipëri më 29 gusht dhe janë larguar më 30 gusht 2021, pas takimit me përfaqësuesit shqiptarë.
Publikimi i këtyre bisedave po shkakton debate të forta politike, ndërsa SPAK vijon hetimet për shkelje të procedurave të tenderimit dhe abuzim me detyrën në këtë projekt me vlerë rreth 150 milionë euro.








