Ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj çdo ndërtimi pa leje, ndërsa ndodhej në zonën e Farkës në ndërtimin e blloqeve me vila, ku po zhvillohet një operacioni për vendosjen e ligjshmërisë në territor.
Koçiu thotë se aksioni synon të ndalë abuzimet dhe të rikthejë kontrollin institucional mbi zhvillimin urban. Ajo paralajmëroi ndërtuesit se askush nuk është mbi ligjin dhe se çdo ndërtim pa leje apo tejkalim i saj do të ndëshkohet me gjobë, kallëzim penal dhe prishje të menjëhershme.
“Kontrollet kanë treguar se abuzimet me territorin nuk janë vetëm çështje individësh që ndërtojnë pa leje, por shpesh lidhen edhe me mos përmbushjen e detyrës nga ana e punonjësve publikë.
Askush nuk do të mbrohet nga pozicioni që mban, kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit. Prandaj, masat po shtrihen në çdo nivel përgjegjësie. Dua të theksoj qartë: ligji është i barabartë për të gjithë dhe zbatimi i tij është një garanci për zhvillim të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Në këtë proces, ndërtuesit duhet të jenë të parët që tregojnë kujdes. Shfrytëzimi i çdo metri katror më shumë se ajo që është lejuar do të penalizohet rëndë me gjobë, ndjekje penale dhe prishje të menjëhershme.
Mbrojtja e territorit është angazhim kombëtar dhe nuk ka kthim pas. Ashtu si dhe rruga jonë europiane, që nuk mund të përshkohet me zaptime apo ndërtime abuzive, por me rregull dhe respekt për hapësirën publike, si një e mirë e përbashkët për të gjithë”, tha Koçiu.








