Gjykata e Posaçma Kundër Krimit dhe Korrupsonit të Organizuar( GJKKO) ka pranuar kërkesën e deputetit socialist Plarent Ndreca, për t’u gjykuar me procedurë të zakonshme, ndërsa ka rrëzuar kërkesën e tij për shpalljen e moskompetencës nga kjo gjykatë.
Me këtë vendim, Ndreca do të përballet i vetëm me një proces të zakonshëm në GJKKO, ndërsa 15 zyrtarët e tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje do të gjykohen me procedurë të shkurtuar.
Ndreca u mor i pandehur nga SPAK më 25 tetor, nën akuzën e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, vepër penale e parashikuar nga neni 258/25 i Kodit Penal, sipas dispozitave në fuqi para ndryshimeve të vitit 2021.
Çështja lidhet me një tender për supervizimin e komisariateve të policisë, zhvilluar nga Ministria e Brendshme, në kohën kur Ndreca mbante postin e sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie.
Në dosjen hetimore, 13 të pandehur akuzohen për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, ndërsa 3 të tjerë për “falsifikim dokumentesh”, po ashtu në bashkëpunim.
Vendimi i GJKKO-së vulos faktin se kompetenca për shqyrtimin e çështjes mbetet në këtë gjykatë dhe jo në Gjykatën e Tiranës, siç kishte kërkuar mbrojtja e Ndrecës.








