Deputeti socialist i Qarkut të Elbasanit, Adi Qose, gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ka ngritur shqetësimin për mungesën e Bypass-it të Elbasanit.
Ai kërkoi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë një plan të qartë dhe afate konkrete për ndërtimin e këtij segmenti, duke theksuar se projekti është i domosdoshëm dhe i vonuar prej një dekade.
Qose vuri në dukje se Bypass-i do të shërbente gjithë juglindjes së vendit, duke përfshirë qytetet Peqin, Belshi, Gramsh, Librazhd dhe Prrenjas, dhe se ai do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin ekonomik, turizmin dhe qarkullimin ndërqytetas.
Sipas tij, është momenti i duhur që projekti të ecë paralelisht me ndërtimin e segmentit Elbasan–Lekaj të Korridorit VIII.
Përfaqësuesit e Ministrisë konfirmuan se projekti është në listën prioritare dhe pjesë e buxhetit afatmesëm 2026–2028, duke përfshirë financimin për një bypass të përkohshëm vitin e ardhshëm si parapërgatitje për ndërtimin e plotë.
Ministria theksoi se projekti mbetet pjesë e planifikimit afatgjatë dhe në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.
Debati i Komisionit riktheu vëmendjen mbi një çështje që qytetarët e Elbasanit kanë kërkuar prej vitesh, me shpresën që Bypass-i të realizohet në të ardhmen e afërt.









