Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po hyn në fazën përfundimtare procesi gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Avokatët e mbrojtjes vlerësojnë se dëshmitë e fundit kanë qenë vendimtare dhe kanë rrëzuar pretendimet e Prokurorisë, duke shprehur bindjen se vendimi përfundimtar duhet të jetë lirimi i plotë i të akuzuarve.
Avokati Skënder Musa tha për RTK-në se dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë të fuqishëm dhe kanë tronditur bazën e aktakuzës, e cila sipas tij është ngritur mbi materiale të fabrikuara nga Serbia dhe të mbështetura nga Rusia.
Ai që e ka tronditë aktakuzën, i pari zoti Robin, por edhe dëshmitarë të tjerë kanë qenë të fuqishëm dhe argumentues.
E kemi parë edhe ambasadorin Hill, i cili ka folur për funksionimin e Ushtrisë Çlirimtare gjatë luftës dhe ka thënë se akuzat e përfshira në aktakuzë janë të njëjtat që i kishte bërë Milosheviqi”, tha Musa.
Ndërsa avokati Ardian Bajraktari theksoi se dëshmitë e fundit e kanë forcuar tezën e mbrojtjes për mungesën e një zinxhiri të mirëfilltë komandues në UÇK.
“Këto dëshmi vetëm sa e forcojnë të kundërtën e asaj që pretendon Prokuroria. Unë jam optimist dhe besoj se nëse gjykata udhëhiqet nga drejtësia, fundi i procesit do të rezultojë me pafajësinë e të akuzuarve.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka kryer krime, as nuk ka pasur strukturë të organizuar që do ta bënte përgjegjëse për to”, deklaroi Bajraktari.









