Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se gjatë këtij mandati qeverisës do të angazhohen 1.7 miliardë euro për pensionistët shqiptarë, duke parashikuar rritje graduale të pensioneve deri në vitin 2030.
Sipas planit të prezantuar nga Rama, pensioni mesatar në zonat urbane do të arrijë 400 euro, ndërsa ai minimal në zonat rurale do të jetë 180 euro, duke synuar përmirësimin e standardit të jetesës për gjyshërit dhe qytetarët më të prekur nga varfëria.
“Falë mbështetjes së palëkundur të shumicës së shqiptarëve që na dhanë mundësinë të ndërtojmë një projekt afatgjatë për Shqipërinë në BE. Ne kemi vendosur, angazhuar në dispozicion të pensionistëve 1.7 miliardë euro plus që do të disbursohen gjatë mandatit tonë të katërt, duke filluar nga janari i vitit që vjen, dhe çdo vit do të financohet dyfishi i vitit të mëparshëm. Çfarë do të marrin pensionistët në 2026, do dyfishohet në 2027, do trefishohet në 2028, do katërfishohet në 2029 dhe do të pesëfishohet në 2030-ën. Do arrijmë objektivin që pensionin mesatar të plotë në zonat urbane ta kemi 400 euro, dhe pensionin minimal në zonën rurale ta kemi 180 euro.”
/5pyetjet.al








