Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej nëntë muajsh, i është drejtuar GJKKO-së me një kërkesë zyrtare për t’u njohur me aktet e dosjes ndaj tij.
Veliaj pretendon se deri më tani nuk ka pasur mundësi të lexojë asnjë material, ndërsa USB-ja e dorëzuar avokatëve nga SPAK nuk mund të përdoret brenda ambienteve të burgut.
Sipas Veliajt, dokumentet e depozituara në gjykatë nuk përputhen me ato në USB, gjë që e pengon të përgatitet për mbrojtjen. Ai kërkon një kopje fizike të plotë të dosjes dhe kohë të mjaftueshme për studimin e saj, duke argumentuar se mungesa e aksesit cënon të drejtën për një proces të rregullt ligjor, siç parashikohet nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ.
Veliaj paralajmëron se vijimi i procedurës pa garantuar këtë të drejtë bazë “e bën të pavlefshëm çdo hap të mëtejshëm dhe e shndërron procesin në një formalitet”.









