Nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve, Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike u mblodh sot Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore. Damian Gjiknuri u shpreh në nisje të mbledhjes se ky komision është ngritur me konsensusin e të gjitha forcave politike dhe me pjesëmarrjen e të gjithë partive politike të përfaqësuara në parlament.
Gjiknuri theksoi se detyra kryesore e komisionit është adresimi i rekomandimeve të OSB/ODIHR-it për sa i përket zgjedhjeve. “Detyra që na ka vënë Kuvendi është që ky komision në radhë të parë duhet të udhëhiqet nga parimi, adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për sa i përket zgjedhjeve”, tha ai.
PS dhe PD bashkuan votat në parlament për të ngritur komisionin, i cili do të përfshijë të gjitha partitë. 7 anëtarë do të ketë PS, 5 PD, 1 PSD, 1 Partia Republikane, 1 Partia e Lirisë, 1 Mundësia. Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet mund të sjellin deputetët për diskutime, por pa të drejtë vote. Komisioni do të bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri nga socialistët me Oerd Bylykbashin nga PD.









