Daniel Pepa, autori i vrasjes së Florian Paluçit më 22 tetor në Manzë të Durrësit, ka pretenduar se ka vepruar në vetëmbrojtje. Ai deklaroi se Paluçi ishte personi i parë që qëlloi me armë, duke vrarë shokun e tij, Aranit Kurti, dhe se ai veproi për të mbrojtur jetën e tij.
“Kam qëlluar nga tronditja e fortë psikike dhe nevoja për të mbrojtur veten, pasi Paluçi kishte vrarë shokun tim dhe kërcënonte jetën time,” ka thënë Pepa gjatë marrjes në pyetje në polici.
Hetimet tregojnë se ngjarja nisi si një konflikt verbal për një ekspres kafe në lokal, dhe se të dy palët ishin të armatosur. Pamjet filmike konfirmojnë se i pari që qëlloi ishte Paluçi, më pas Pepa ka qëlluar një herë drejt tij, duke e lënë të vdekur. Ngjarja lidhet edhe me të kaluarën kriminale të Paluçit në Itali, ku ai ishte nën hetim për tentativë vrasjeje të dyfishtë.
Pepa është vetëdorëzuar pas disa ditësh dhe pritet të dalë para gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”.








