Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se po punon për një libër të ri, i cili do të mbledhë “fjalët e sofrës së iftarit”, siç i ka quajtur ai, duke i cilësuar si shkrime të krijuara për kënaqësinë e gjuhës shqipe.
Gjatë podkastit të tij, Rama tha se pavarësisht mungesës së kohës për të shkruar vepra të gjata si “Kurbani”, ai vijon të hedhë në letër reflektime, copëza nga puna dhe fjalime që shërbejnë si material për librin e ri.
Ai u ndal edhe te pasioni për gjuhën shqipe dhe takimet me shkrimtarin Ismail Kadare, duke thënë se diskutimet për gjuhën kanë qenë pjesët më të dashura të bisedave mes tyre.
Sipas Ramës, botimi i ri nuk ka synime politike apo programatike, por vjen thjesht si një dëshirë personale për të ruajtur dhe ndarë me publikun disa prej shkrimeve të tij të preferuara.









