-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Blushi: Rrugët sot ndërtohen me kosto të fryra dhe shemben si thes kashte

Kryesoret

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka dalë me një deklaratë ku akuzon qeverinë Rama se po realizon projekte rrugësh me kosto të fryra dhe cilësi të ulët.

Ai thotë se krahasuar me fillimin e viteve 2000, kur Ilir Meta ishte kryeministër, ndërtimet e asaj kohe kanë qenë më të qëndrueshme dhe shumë më pak të kushtueshme.

Sipas Blushit, në atë periudhë një kilometër rrugë ndërtohej me rreth 12 mijë euro, ndërsa sot çmimet shkojnë deri në disa milionë euro për kilometër dhe, siç pretendon ai, rrugët prishen shumë më shpejt.

Deklarata e plotë

Në fillim të viteve 2000, kur Ilir Meta ishte Kryeministër i Shqipërisë, Qeveria arriti të ndërtonte vepra publike madhështore, të cilat pavarësisht kushteve ekstreme të terrenit dhe teknologjisë së kufizuar të kohës, rezultojnë sot, 25 vite më vonë, shumë më të qëndrueshme, tepër cilësore dhe me kosto nga 500 qindra deri në 1600 herë më të lira.

Të gjitha rrugët e ndërtuara nga Qeveria Meta sot janë në gjendje shumë të mirë, asnjë centimetër nuk ka lëvizur dhe vijojnë të jenë të sigurta dhe cilësore edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga ndërtimi i tyre.
Shembulli më i qartë është rruga Llogara–Palasë, një nga akset më të bukur të vendit, me pamje spektakolare dhe, që për sa kohë Tuneli i Llogarasë ende nuk është kolauduar, mbetet e vetmja rrugë e sigurtë që lidh Vlorën me gjithë zonat turistike të jugut: Palasën, Dhërmiun, Jalën, Himarën e më tej.

Një aks 18 km i ndërtuar në një nga terrenet më të vështira të Shqipërisë, ku çdo centimetër kërkonte shpim shkëmbi, prerje faqesh dhe mbrojtje kundër rrëshqitjeve të gurëve dhe dherave.

Megjithatë, kjo vepër kolosale, u ndërtua në vetëm 6 muaj, nga 4 nëntori 2000 deri më 26 prill 2001, në kushte të acarta dimri, nga brigadat xheniere të Forcave të Armatosura, me një kosto vetëm 22 milion lekë (pa asfalt), që me kursin e sotëm përkthehet në rreth 12 mijë euro për kilometër.

Faktet flasin qartë, edhe pas 25 vitesh, kjo rruga Llogara-Palasë e ndërtuar nga Kryeministri Meta nuk është çarë, nuk është deformuar, nuk i është lëkundur asnjë centimetër asfalti.

Një vepër madhështore e ndërtuar me cilësi, profesionalizëm, përgjegjësi dhe efikasitet të jashtëzakonshëm dhe mbi të gjitha me kosto simbolike.

Sot, ndonëse buxhetet janë shumëfish më të mëdha, teknologjia më e avancuar dhe kapacitetet më të fuqishme, realiteti është krejt tjetër.
Mjafton të shohim aksin Qukës–Qafë Plloçë, një rrugë 43 km, në terren më të butë se Llogara–Palasë, me një kosto totale rreth 260 milion euro, pra 6 milion euro për kilometer, e cila u shemb vetëm dy muaj pas inaugurimit.

Dhe kontrasti bëhet edhe më i thellë kur kujtojmë se kjo vepër nuk u ndërtua në 6 muaj si Llogara-Palasë, por u zvarrit për 14 vite, për t’u shembur pas vetëm 60 ditësh.

Dikur ndërtonim një kilometër rruge me 12 mijë euro dhe ai qëndron edhe sot.
Sot ndërtojmë kilometra “të florinjtë”, 500 deri në 1600 herë më të shtrenjtë, me 6 deri në 20 milion euro për kilometër, dhe ato shemben si thes kashte: Qukës–Qafë Plloçë me 260 milion euro, Korçë–Ersekë me 80 milion euro, Kardhiq–Delvinë me 146 milion euro, pa harruar Unazën e florinjtë të Tiranës që ka thithur qindra milion euro, ende nuk është funksionale plotësisht dhe që përmbytet sa herë bie shi.

Dikur një rrugë në terren të vështirë, si Llogara-Palasë ndërtohej në 6 muaj dhe zgjaste 25 vite, sot një rrugë si Korçë-Ersekë apo Qukës-Qafë Plloë që ndërtohet për 14 vite, shembet për 2 muaj.

Dikur prioritet ishte cilësia dhe siguria e qytetarëve. Sot prioritet janë faturat e fryra dhe vjedhja sistematike e taksave të shqiptarëve. Dikur punohej me ndershmëri dhe efikasitet. Sot çdo projekt infrastrukture me kosto të tejfryra shërben si instrument i Edi Ramës për të vjedhur fondet publike. Problemi nuk është tek një ministër apo një ish-Zv/Kryministre si Belinda Balluku.

Problemi është modeli i qeverisjes më të korruptuar të kontinentit, një model që ka shndërruar ndërtimin në industri të shpërdorimit dhe pasurimit të paligjshëm, ku çdo aferë, çdo projekt dhe çdo kontratë koncesionare mbart të njëjtin emër dhe të njëjtin përfitues, Edi Ramën.

Prandaj rrugët e florinjta vazhdojnë dhe do të vazhdojnë të ndërtohen, pavarësisht largimeve në kabinet apo marrjes së pandehur të Belinda Ballukut, sepse në çdo aferë madhore infrastrukturore, nga Tuneli i Llogarasë deri te inceneratorët që nuk ekzistojnë, përgjegjësi dhe përfitues kryesor është një i vetëm, Edi Rama.

Ndërkohë që qindra milion euro derdhen për PPP-të, koncesionet dhe tenderat e dyshimtë, pensionet rriten vetëm me 60 lekë në ditë në qytet dhe 20 lekë në fshat; ndërkohë që paguhen 90 mijë euro në ditë për inceneratorin fantazmë të Tiranës, 95 mijë euro për dy tigrat rrangallë nga Bangladeshi që nuk prodhojnë energji, dhe qindra milion euro që avullojnë për shërbime që nuk kryhen dhe kur ndërkohë edhe sot mijëra familje shqiptare, nga Veriu në Jug, janë zgjuar nën ujë dhe nën qiell të hapur, me shtëpi dhe pasuri të shkatërruara dhe të braktisur nga Qeveria, Kryeministri i së cilës pa të udhës që më mirë të ndiqte ditët e modës në Katar se sa t’i printe shtabit të emergjencave civile.

Nëse drejtësia nuk guxon të prekë më të fuqishmin e aferave, çdo tjetër marrje e pandehur është vetëm fasadë.

Vetëm hetimi dhe marrja e pandehur e kreut të qeverisë mund të ndalë gjakderdhjen financiare të shtetit dhe të kthejë fondet publike aty ku u takojnë të shkojnë: pensioneve, pagave, bujqësisë, shëndetësisë dhe arsimit.

Vetëm kur drejtësia të guxojë të marrë të pandehur Edi Ramën, atëherë mund të thuhet se kemi drejtësi, edhe pse edhe atëherë sërish do të jetë shumë vonë sepse dëmet janë të parikuperueshme dhe kosto shumë të rënda për popullin më të varfër dhe më të vjedhur të Europës.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit