Atentatorët e Julian Sulës, 45-vjeçarit nga Karbunara e Lushnjës, ende nuk janë identifikuar. Policia ka sekuestruar kamerat e disa bizneseve që kanë fiksuar momentin e të shtënave me armë.

Sipas policisë, dy persona kanë dalë nga një makinë që ishte parkuar në kthesën e rrugës “Misto Mame”. Ata shfaqen me maska të zeza dhe kapele.
Në momentin që automjeti BMW i zi i Julian Sulës hyn në këtë rrugë, autorët zbresin nga mjeti dhe hapin zjarr, njëri me kallashnikov dhe tjetri me pistoletë. Reagimi i tyre ka qenë i vonuar, pasi makina e shënjestrës kalon me shpejtësi.
Dyshohet se 45-vjeçari i ka vënë re atentatorët dhe ka shtuar shpejtësinë, duke i shpëtuar për mrekulli plumbave. Atentati ka zgjatur vetëm 10 sekonda. Gjashtë plumba kanë goditur automjetin e Sulës, ndërsa një tjetër e ka gërvishtur në këmbë.
Pas ngjarjes, autorët dogjën makinën së bashku me armët në fshatin Lifaj. Ndërkohë, Julian Sula fillimisht shkoi në lokalin e tij në Karbunarë, më pas në banesë dhe pas disa minutash u paraqit në spital për të mjekuar plagën në këmbë.
Deri tani, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 18 persona, mes tyre edhe të afërm të 45-vjeçarit. Hetimet po zhvillohen në disa pista, duke nisur nga e kaluara e Sulës që prej vitit 1997, deri te dyshimet për lidhje me trafikun e narkotikëve dhe aktivitetet e tij të biznesit.









