Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, iu bashkua protestës së fermerëve në Konispol, të cilët ankohen për dëmet nga përmbytjet dhe presionin për ulje çmimesh nga grumbulluesit.
Fermerët denoncuan mungesën e subvencioneve dhe fushatat e dezinformimit mbi cilësinë e mandarinave të tyre.
“Ju u përballët me një fushatë të tmerrshme dezinformimi që thoshte se mandarinat janë me pesticide dhe jo të shëndetshme, vetëm për të ulur çmimin që të bliheshin lirë. Mandarinat e Konispolit janë të sigurta, me cilësi dhe të ardhura nga puna e ndershme e fermerëve,” – u shpreh Zhupa.
Ajo theksoi se nuk ishte në protestë për qëllime politike, por në cilësinë e përfaqësueses së tyre në Kuvend, duke premtuar se zëri i fermerëve do të ngrihet në amendimet e buxhetit 2026.
“ Do të bëj propozimet e duhura në amendamentet e buxhetit të 2026 për të adresuar problemet tuaja. Çfarëdo ndihme që keni nevojë, më keni në krah,” – theksoi ajo.









