Ish-ambasadori amerikan Christopher Hill, i pari që shërbeu në Shqipëri pas rënies së komunizmit, u rikthye në Tiranë për prezantimin e librit të tij.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në event dhe komentoi për figurën e Hill si diplomat dhe mënyrën e tij të veçantë të punës në rajon, duke kujtuar takimet dhe eksperiencat e tij me të.
“Më duhet të them që kur dëgjova për herë të parë për Chris Hill ishte kur më thanë se kishte çuar Fatos Nanon në burg. Ishte mënyrë shumë mbresëlënëse për të lënë pas emrin pasi sapo kishe hyrë në Shqipëri dhe thjesht nuk ishte angazhuar në asnjë reformë apo transformim, thjesht kishe çuar në burg dikë dhe ishte larguar. Por ka diçka që mund ta them me siguri: Chris Hill është ndoshta i vetmi diplomat amerikan që kupton Ballkanin nga brenda. Ai e ka jetuar Ballkanin në të gjitha këndet e tij dhe çuditërisht kurrë nuk ka shfaqur ndonjë tundim për të folur me zë të lartë apo për t’u shfaqur përpara kamerave. Ka qenë gjithmonë i pranishëm si mjeshtër pëshpëritës. Më la shumë mbresë mënyra se si dëgjonte, një virtyt që nuk e kanë zakonisht ambasadorët amerikanë. Ai dinte të kuptonte, të vepronte me maturi dhe respekt, dhe kjo është ajo që e veçon si diplomat. Për vite, kushdo që shërbente si ambasador amerikan në Shqipëri konsiderohej personi më i fuqishëm në vend, por Chris Hill e bëri këtë me distancë, kujdes dhe një zë të ulët, duke lënë mbresë te secili që e takonte,” shprehet Rama.









