Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, ka njoftuar zhvillimin e një serie takimesh konsultuese me qytetarët dhe grupet e interesit, për të diskutuar për përgatitjen e Buxhetit 2026–2028.
Ajo theksoi se këto takime janë të nevojshme për të krijuar një dialog më të fortë ndërmjet bashkisë dhe taksapaguesve, duke adresuar shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve para marrjes së vendimeve të rëndësishme.
Postimi i plotë:
Thirrje për Dialog – Bashkë për Tiranën tonë!
Të dashur banorë të Tiranës,
Në prag të miratimit të Buxhetit 2026–2028 për Bashkinë e Tiranës, do të zhvillojmë disa seanca keshillimore me qytetarë dhe grupe interesi. Këto takime synojnë të nxisin një dialog të munguar por të domosdoshëm ndërmjet bashkisë dhe taksapaguesve për të trajtuar me përparësi problemet dhe sfidat e tyre.
Si këshilltarë vendorë të Partisë Demokratike, besojmë se zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet – veçanërisht para vendimeve të rëndësishme që prekin jetën e përditshme të të gjithëve.
Prandaj, ju ftojmë të merrni pjesë në serinë e takimeve publike që do të zhvillojmë, ku do të kemi mundësinë të bashkëbisedojmë për nevojat, sfidat dhe zgjidhjet për to.
TAKIMI 1:
Me familjet e prekura nga tërmeti
Ku: Salla e Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës
Kur: 10 dhjetor, ora 16:00
Për të diskutuar: Mbulimi i nevojave për familjet e dëmtuara që nuk kanë marrë ende zgjidhje, kanë paqartësi ose kontestime të procesit.
TAKIMI 2:
Me përfaqësues të bizneseve (të vogla, të mesme dhe të mëdha)
Ku: Salla e Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës
Kur: 10 dhjetor, ora 18:00
Për të diskutuar: Sfidat dhe propozimet për një mjedis miqësor për biznesin në Tiranë.
TAKIMI 3:
Me prindër dhe përfaqësues të komunitetit arsimor
Ku: Salla e Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës
Kur: 11 dhjetor, ora 16:00
Për të diskutuar: Identifikimi i nevojave për investime prioritare në infrastrukturën arsimore – riparime, zgjerime, objekte të reja, fusha sportive etj.
Të interesuarit, lutem të kontaktojnë për detaje të mëtejshme.









