Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me rastin e 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, ndau sot medaljet e vlerësimit për personalitete në fusha të ndryshme, në botën shqiptare.
Presidenti i vendit u shpreh se “Urdhri i Skëndërbeut” duhet të mbahet si testament për të treguar që Shqipëria ndërtohet nga njerëz me vepra dhe që nderimi publik është një mirënjohje shtetërore, është vlerësim i meritës, jo një shpërblim.
“Së bashku me Urdhrin Suprem të Shqiponjës dhe Urdhrin e Lisit Akademik, këto tre urdhra përbëjnë “trininë e nderimit shtetëror”, duke përfaqësuar tre shtyllat themelore të identitetit kombëtar: flamurin, virtytin dhe dijen. Përzgjedhja e të dekoruarve duhet të mbështetet në parime si meritokracia, objektiviteti, transparenca, proporcionaliteti dhe reciprociteti ndërkombëtar, si shprehje e një kulture të re institucionale në vlerësimin e shërbimit ndaj vendit”, tha Begaj.









