Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi përmes një postimi në facebook ka reaguar për izolimin e ish-presidentit Ilir Meta, sipas tij arrestimi i Metës i është ndaluar komunikimi me mediat, ku kjo nuk ka ndodhur as edhe në Rusi për Alexei Navalnyn.
Reagimi i plotë i Blushit
Vladimir Putin nuk ia mohoi kurrë Alexei Navalnyt lirinë e shprehjes. Edhe nga burgu në Arktik, ku më pas humbi jetën, Navalny fliste lirshëm për mediat, denonconte kushtet çnjerëzore të trajtimit dhe kritikonte hapur regjimin autoritar.
Në Shqipëri ndodh e kundërta. Ilir Meta, i izoluar në ekstrem në burg, është privuar nga e drejta për të komunikuar me mediat. Me urdhër të Edi Ramës, atij i është ndaluar liria e fjalës dhe është ndëshkuar dy herë vetëm pse arriti të komunikonte në mënyrë indirekte me gazetarët.
Çdo ditë që kalon pa u zbatuar 9 rekomandimet e Avokatit të Popullit provon se ndalimi, hetimi dhe burgosja e Ilir Metës janë akte politike kriminale, të diktuara nga vullneti personal i Edi Ramës.
Respektimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk është opsion, por detyrim ligjor i panegociueshëm për Shqipërinë.
Beteja për lirinë e Ilir Metës është një betejë për liritë e të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor të çdo qytetari shqiptar, për respektimin e KEDNJ, të Kushtetutës e ligjit.
Përballë një drejtësie të politizuar dhe të kontrolluar nga pushteti, nuk mbrohet thjesht një lider politik, por parimi se askush nuk duhet të jetë viktimë e një sistemi të komanduar politikisht.
Kjo nuk është një betejë politike, por një luftë për demokraci, për shtetin e së drejtës dhe për Shqipërinë europiane që meritojmë.









