Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm për vitin 2026. Sipas informacioneve nga Banka Qendrore, ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.
Gjatë vitit 2026, janë programuar gjithsej 26 ankande për blerje valute, që do të zhvillohen mes muajve shkurt dhe dhjetor. Prej tyre, 9 do të jenë ankande për blerje në të ardhmen (forward) njëmujore dhe tremujore, ndërsa 17 do të jenë ankande me blerje në datën përkatëse (spot).
Edhe për vitin 2026, përqendrimi më i lartë i blerjeve parashikohet në sezonin veror, kur edhe oferta valutore është më e madhe. Sipas kalendarit, në periudhën mes muajve qershor dhe gusht do të zhvillohen gjithsej 12 ankande për blerje valute.
Shuma maksimale e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë do të jetë 10-12 milionë euro, në varësi të ankandit. Megjithatë, rregulloret i lejojnë Bankës së Shqipërisë të kryejë edhe blerje në një raund të dytë, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë.
Shumat e mësipërme nuk përfshijnë blerjet e mundshme për qëllime të ndërhyrjes në tregun valutor, në funksion të stabilizimit të tregut apo objektivave të politikës monetare.
Sipas informacionit të publikuar deri tani, për 9-mujorin 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë afërsisht 800 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Në pjesën më të madhe, bëhet fjalë për blerje jashtë kalendarit të ankandeve, të kryera me operacione të drejtpërdrejta, me qëllim për të shmangur forcimin e mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit valutor.
Ndërkohë, sipas shifrave finale zyrtare, për vitin 2024 Banka e Shqipërisë pati blerë gjithsej 933 milionë euro në tregun valutor, në vlerën më të lartë të të gjitha kohërave.
Blerjet gjithnjë e më të mëdha të valutës nga Banka e Shqipërisë i detyrohen tendencës së vazhdueshme rënëse të kursit Euro-Lek. Oferta e lartë valutore ka bërë që kursi i monedhës europiane këtë vit të arrijë nivele të reja minimale historike, poshtë kufirit të 96.5 lekëve. Megjithatë, zhvlerësimi i monedhës europiane me bazë vjetore ka zbritur poshtë nivelit të 2%, duke u frenuar ndjeshëm krahasuar me tre vitet e mëparshme.
Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ka qenë thelbësore në ngadalësimin e rënies së Euros, që përndryshe do të kishte prekur nivele edhe më të ulëta. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e këmbimit valutor janë argumentuar në funksion të objektivit të inflacionit. Në kushtet kur inflacioni i ulët i detyrohet kryesisht komponentit të tij të importuar, Banka e Shqipërisë ka blerë Euro për të mos lejuar forcimin e mëtejshëm të Lekut, sepse kjo do të ushtronte presione të mëtejshme rënëse mbi inflacionin./ Monitor









