I ftuar në emisionin “5 Pyetjet”, ish-prokurori Eugen Beci u shpreh se çdo çështje penale duhet trajtuar si një rast krejtësisht i veçantë dhe se nuk mund të ketë referime automatike te precedentët e mëparshëm.
Sipas tij, drejtësia nuk duhet të ketë asnjë ndikim politik, pasi në të kundërt humbet vetë kuptimi i reformës.
“Çdo çështje penale është një parcelë krejtësisht e ndryshme. Nuk mund të shkojmë gjithmonë te precedentët e mëparshëm dhe aq më pak të ketë ndikime politike. Nesër rikthehet imuniteti në drejtësi dhe Gjykata e Posaçme duhet të jetë shumë korrekte. Nuk është e njëjtë të akuzohesh se ke pirë dhe je në timon, të të hiqet patenta dhe më pas të ndodhë një vrasje. Po ashtu, nuk është e njëjtë të vjedhësh në Vrimat e Llogarasë dhe të vjedhësh një dyqan rrobash. Të dyja janë vjedhje, por procedimi penal është i ndryshëm dhe opinioni publik duhet të jetë i gatshëm ta kuptojë këtë,” shprehet Beci









