Më 23 dhjetor 1975, Rob Parsons dhe gruaja e tij Diane i hapën derën një burri 30-vjeçar të pastrehë, një akt mirësie që do t’ua ndryshonte jetën përgjithmonë. E gjitha filloi kur atë Krishtlindje, çifti i ri në Cardiff dëgjoi një trokitje në derën e tyre.
Historinë e ka publikuar BBC. Ishte një burrë i pastrehë që qëndronte te dera e tyre me sendet e tij në një qese plehrash në dorën e djathtë dhe një pulë të ngrirë në të majtën. Ishte Ronnie Lockwood.
Rob e pa me vëmendje fytyrën e tij dhe Ronnie Lockwood iu duk një fytyrë e njohur pasi e kishte parë herë pas here në shkollën e së dielës kur ishte fëmijë dhe për të cilin i kishin thënë të sillej mirë sepse ishte “pak ndryshe”.
“Unë i thashë, “Ronnie po kjo pulë?” dhe ai më tha, “Dikush ma dha për Krishtlindje”. Pastaj i thashë dy fjalë që ndryshuan jetën e të gjithëve. Nuk jam i sigurt pse i thashë. I thashë, “Hyr brenda”.
Çifti vetëm 27 dhe 26 vjeç në atë kohë, ndjeu nevojën për ta marrë nën kujdesin e tyre Ronin, i cili ishte autik. Ata ia gatuan pulën, e lanë dhe ranë dakord ta mbanin për Krishtlindje. Ajo që filloi si një akt dhembshurie u shndërrua në një histori dashurie unike që zgjati 45 vjet, deri në ditën kur vdiq Ronnie.

Rob, tani 77 vjeç, dhe Diana, 76 vjeç, ishin martuar vetëm prej 4 vitesh kur e mirëpritën Ronnie në shtëpinë e tyre. “Ai ishte ulur në tryezën e Krishtlindjeve dhe kishte këto dhurata dhe po qante.” Ronnie ishte atëherë pothuajse 30 vjeç dhe kishte qenë i pastrehë që nga mosha 15 vjeç, duke jetuar në Cardiff dhe zonat përreth dhe duke ndërruar vazhdimisht punë.
Për ta bërë të ndihej sa më i mirëpritur, ata i kërkuan familjes së tyre t’i sillnin një dhuratë Krishtlindjesh, nga një palë çorape dhe disa “aroma”.
“Ende e mbaj mend. Ai ulej në tryezën e Krishtlindjeve dhe merrte këto dhurata dhe qante sepse nuk ishte ndjerë kurrë kaq i dashur, e dini. Ishte thjesht e pabesueshme ta shihje”, – thotë Diane.
Çifti kishte planifikuar ta linte të qëndronte deri ditën pas Krishtlindjeve, por kur erdhi dita, ata nuk mundën ta nxirrnin Ronnie jashtë dhe kërkuan këshilla nga autoritetet.
Qendra e të pastrehëve u tha atyre se Ronnie i duhej një adresë për të gjetur një punë, por “për të gjetur një shtëpi i duhej një punë. Kjo është rruga pa krye në të cilën ndodhen shumë njerëz të pastrehë”, – tha Rob.
Historia e Ronnie fillon kur ai ishte fëmijë, vetëm 8 vjeç, kur u vendos në një azil kujdesi. Tre vjet më vonë, ai u zhduk nga Cardiff. Ai u dërgua rreth 200 milje larg në një shkollë speciale ku jetoi për 5 vjet. “Ai nuk kishte miq atje. Nuk kishte punonjës social që e njihte. Nuk kishte mësues që e njihnin”, – thotë Rob.
Ronnie shpesh pyeste: “A bëra diçka gabim?”, diçka që ata besojnë se e mësoi nga shkolla. “Ai ishte gjithmonë i shqetësuar se mos të kishte ofenduar ose se kishte bërë diçka të gabuar”, thotë Rob. Në moshën 15 vjeç, Ronnie u dërgua përsëri në Cardiff “pa asgjë” dhe mbeti i pastrehë për një kohë.
Çifti zbuloi se Ronnie fillimisht ishte pak në siklet pasi luftonte për të bërë kontakt me sy dhe për të zhvilluar një bisedë normale. “Por pastaj e njohëm dhe e deshëm”, – thonë ata.
Ata e ndihmuan Ronnie të gjente një punë si mbledhës mbeturinash dhe i blenë rroba të reja, pasi ai vishte të njëjtat rroba që kishte veshur si adoleshent në shkollë. “Ne nuk kishim fëmijë tanët. Ishte sikur po i vishnim fëmijët tanë për në shkollë, ishim prindër krenarë”, – tha Rob.

“Kur dolëm nga dyqani, Diane më tha: “Ai gjeti një punë si pastrues mbeturinash dhe ne e veshëm sikur të ishte përfaqësues hoteli”, – tha Rob me të qeshur.
Robi ishte avokat dhe zgjohej një orë më herët për ta çuar Ronnie në punën e tij përpara se ai të shkonte në të vetën. Kur kthehej në shtëpi, Rob tha se Ronnie shpesh ulej aty, duke buzëqeshur, dhe një natë e pyeti: “Ronnie, çfarë të bën kaq për të qeshur?”
Ronnie u përgjigj: “Rob, kur më çon në punë në mëngjes, burrat e tjerë thonë: “Kush është ai që të çon në punë me atë makinë?” Dhe unë them: “Oh, ky është avokati im”, – u përgjigj Ronnie. “Nuk mendojmë se ai ishte krenar që e kishte çuar në punë një avokat, por mendojmë se ndoshta nuk është çuar kurrë në punë që nga dita e tij të parë të shkollës. “Dhe tani që është pothuajse 30 vjeç… më në fund dikush ishte te porta”, shpjegoi Rob.
“Ronnie e zbrazte lavastoviljen çdo mëngjes dhe Rob bënte sikur ishte i befasuar që të mos e zhgënjente Ronnie. “Është e vështirë të dukesh i befasuar kur të bëhet e njëjta pyetje të martën që të bënë të hënën, por kështu ishte Ronnie. Ne e bëmë këtë për 45 vjet”, – tha ajo duke qeshur.
“Ai padyshim kishte vështirësi në lexim dhe shkrim, por blinte “South Wales Echo” çdo ditë”, shtoi Diane.

Ronnie u blinte të njëjtat karta dhuratash Marks and Spencer çdo Krishtlindje, por çdo vit ai ndjente të njëjtin gëzim nga reagimi i tyre. Ronnie e kalonte pjesën më të madhe të kohës së tij të lirë në kishën lokale, duke mbledhur donacione për të pastrehët dhe duke u përgatitur për shërbesat, duke rregulluar karriget. Diane kujtoi një ditë kur u kthye në shtëpi me një palë këpucë të ndryshme dhe e pyeti: “Ronnie, ku janë këpucët e tua?” Ai i tha se një burrë i pastrehë kishte nevojë për to dhe ai ia dha. “Ky ishte karakteri i tij. Ai ishte i mrekullueshëm”, – thonë ata.
Një nga kohët e tyre më të vështira ishte kur Diane u diagnostikua me Encefalomielit mialgjik, ose sindromën e lodhjes kronike, pasi kishte ditë kur ajo nuk mund të ngrihej nga shtrati. “Kisha një vajzë të vogël 3-vjeçare dhe Rob ishte në punë”, tha Diane. Por Ronnie ishte “i admirueshëm” dhe mori përsipër përgjegjësitë e tij, duke përgatitur shishen e djalit të tyre Lloyd, duke ndihmuar në punët e shtëpisë dhe duke luajtur me vajzën e tyre Katie.
Edhe pse pranuan se Ronnie kishte qenë i varur nga kumari për 20 vjet, ata nuk mund ta imagjinonin jetën e tyre pa të.
“Nuk është diçka që do ta rekomandoja si strategji, por Ronnie na e pasuroi jetën në shumë mënyra”, vuri në dukje Rob. “Ronnie kishte një zemër të madhe. Ishte i sjellshëm, bezdisës. Ndonjëherë isha nëna e tij, ndonjëherë isha punonjësja e tij sociale dhe ndonjëherë isha kujdestarja e tij”, thotë Diana.
Kur dikush i pyeti fëmijët e çiftit: “Si ia bëtë me Ronnie kur ju erdhën miqtë në shtëpi”, ata u përgjigjën: “Epo, ne nuk mendonim shumë për këtë, është thjesht Ronnie”.
“Fëmijët tanë nuk e kishin njohur kurrë jetën pa Ronnie. Ai ishte aty para se ata të vinin dhe ishte aty kur ikën”, thotë Rob. Vetëm një herë çifti mendoi ta ndihmonte Ronnie të jetonte i pavarur, disa vjet pasi u qëndronte me ta. Dy fëmijët e tyre u rritën dhe hapësira në shtëpinë e tyre me një banjo dukej e kufizuar. Ata iu afruan dhomës së Ronnie për t’i sugjeruar të gjente një apartament afër. Por kur hynë, ai përsëriti pyetjen e njohur: “A bëra diçka gabim?” Rob tha se Diana e nxori nga dhoma, shpërtheu në lot dhe tha: “Nuk mund ta bëj këtë.”
Disa net më vonë, Ronnie hyri në dhomën e tyre dhe pyeti: “Jemi miq të ngushtë, të tre, apo jo?” “Unë thashë: “Po, Roni, të tre jemi miq të ngushtë” – tha Robi. “Dhe do të jemi bashkë përgjithmonë, apo jo?” pyeti ai. “Pati një pauzë, ndoshta shumë të gjatë, dhe unë e shikova Dianën dhe thashë: “Po, Ronnie, do të jemi bashkë përgjithmonë”. Dhe ishim.”
Roni vdiq në vitin 2020 në moshën 75-vjeçare pas një goditjeje në tru, dhe çifti pretendon se e ndjen shumë mungesën e tij. Shumë njerëz donin të merrnin pjesë në funeralin e tij, por për shkak të pandemisë së koronavirusit, vetëm 50 persona u paraqitën. Ata morën të paktën 100 kartolina ngushëllimi, nga “profesorë të Universitetit të Oksfordit, politikanë dhe të papunë”. Pas vdekjes së tij, një qendër e re shëndetësore, pjesë e Kishës Glenwood në Cardiff, mori emrin në nder të Ronnie, “Shtëpia Lockwood”.
Ndërtesa u rinovua me fonde nga testamenti i Ronnie. “Në fund, burri i pastrehë na vuri një çati mbi kokat e të gjithëve. A nuk është e mrekullueshme? Mendoj se gjithçka ishte e destinuar të ndodhte”, – tha Diane. “Njerëzit na pyesin se si ndodhi – 45 vjet – por e vërteta është se, në një farë mënyre, ndodhi ditë pas dite. Ronnie na e bëri jetën më të pasur”.









