Detaje të reja dhe tejet dramatike po dalin në dritë lidhur me operacionin amerikan për kapjen e presidentit venezuelas, Nicolás Maduro. Këtë herë, përveç rrëfimit të presidentit Donald Trump, raportime të ngjashme vijnë edhe nga CNN.
Sipas CNN, që citon dy burime të njohura me situatën, Maduro dhe bashkëshortja e tij u kapën në mes të natës, ndërsa ishin në gjumë, dhe u nxorën me forcë (zvarrë) nga dhoma e tyre e gjumit.
Raporti i CNN përputhet pjesërisht me deklaratat e Trump, i cili më herët kishte përshkruar rezidencën ku ndodhej Maduro si një strukturë e fortifikuar, “më shumë fortesë se sa shtëpi”, e pajisur me dyer çeliku dhe një hapësirë sigurie të projektuar për situata ekstreme.
“Ai po përpiqej të hynte në atë hapësirë sigurie, por u kap aq shpejt sa nuk ia doli,” ka deklaruar Trump, duke shtuar se forcat amerikane ishin të përgatitura edhe për të çarë çelikun, nëse do të ishte e nevojshme.
Sipas të njëjtave burime, operacioni u krye nga Delta Force, njësia elitare e Ushtrisë Amerikane dhe u zhvillua pa asnjë viktimë apo të plagosur nga pala amerikane.
Pas kapjes, Maduro dhe bashkëshortja e tij thuhet se u larguan nga territori venezuelas me helikopter, për t’u transferuar më pas në një anije që do t’i çonte drejt Shteteve të Bashkuara, konkretisht në New York.
Trump ka pohuar se e ndoqi operacionin në kohë reale nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago.
“Më dukej sikur po shikoja një shfaqje televizive,” është shprehur ai.
Megjithatë, edhe pse CNN raporton duke cituar burime të brendshme, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar publik nga Departamenti i Mbrojtjes apo Shtëpia e Bardhë, ndërsa autoritetet venezuelase nuk kanë dhënë një reagim të detajuar mbi këto pretendime.
Ngjarja, nëse konfirmohet plotësisht, do të përbënte një nga operacionet më të jashtëzakonshme ndërhyrëse të SHBA-ve kundër një kreu shteti në detyrë që prej rastit të Manuel Noriegas në Panama, në fund të viteve ’80.









