Në Sukth, një nga zonat më të prekura nga reshjet e dendura të shiut, situata është dramatike.
Ujërat kanë mbuluar rrugët dhe shtëpitë, duke lënë dhjetëra familje të bllokuara dhe në kushte të rrezikshme.
Deputetja Manjola Luku nuk ka hezituar të denoncojë dështimin e institucioneve për menaxhimin e krizës dhe kërkon veprime urgjente për të shpëtuar jetët e qytetarëve.
“Reshjet e fundit kanë shkaktuar probleme serioze në shumë fshatra të njësive administrative Manëz dhe Sukth. Banorët janë të bllokuar dhe rrugët e aksesit janë të mbuluara nga uji. Kemi nevojë urgjente për ndërhyrje për lirimin e rrugëve dhe ndihmë për familjet e prekura”, deklaroi deputetja Luku.
Nga terreni, banorët shprehen të dëshpëruar për situatën:
“Situata më e keqe nuk ka ku shkon më. Uji ka hyrë në shtëpi. Po përdorim fadroma dhe pompa, por gjithçka po përkeqësohet. Hidrovoret nuk funksionojnë, dritat janë ndërprerë dhe kemi nevojë urgjente për ndihmë”, treguan ata.
Deputetja Luku theksoi se situata kërkon veprime të menjëhershme: “Bashkia dhe qeveria duhet të lënë propagandën dhe të dërgojnë ekipet dhe mjetet e nevojshme. Duhet një paketë emergjence për përballimin e situatës dhe mbrojtjen e pasurisë së qytetarëve. Niveli i ujit ka arritur maksimumin dhe kjo është një zonë shumë emergjente”, shtoi ajo.
Banorët i bënë thirrje qeverisë: “Thirrje kemi për qeverinë që të vijë dhe të na ndihmojë. A ka qeveri apo jo?”









